Kroaci, gënjeshtra e murgeshës u zbulua: tha se e goditi dikush duke thirrur “allahu ekber”, por e vërteta ishte krejt tjetër

Policia e Zagrebit ka njoftuar se sulmi ndaj murgeshës, për të cilin ditët e fundit raportuan disa media dhe rrjete sociale, nuk ka ndodhur fare. Sipas autoriteteve, 35-vjeçarja e ka sajuar të gjithë ngjarjen dhe plagët ia ka shkaktuar vetes me një thikë që e kishte blerë më herët në një dyqan.

Sipas informacioneve zyrtare, hetimi kriminal është përfunduar të martën dhe është vërtetuar se murgesha ka raportuar rrejshëm se është sulmuar dhe plagosur nga një person i panjohur. Policia tha se hetimi shumë shpejt ka zbuluar mospërputhje të konsiderueshme në versionin e saj të ngjarjes.

“Gjatë hetimit është konfirmuar se plagën ia ka shkaktuar vetes me thikën që më herët e kishte blerë në zonën e Zagrebit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Mediat kroate raportojnë se ajo kishte plagë me thikë në zonën e barkut.

Gruaja, një ditë para raportimit, ishte liruar nga spitali KBC Sestre milosrdnice, ku i ishin konstatuar lëndime të lehta trupore. Më pas, ajo ka paraqitur kallëzim në polici duke pretenduar se gjatë ditës në rrugë e kishte sulmuar një burrë i panjohur. Por dyshimet për besueshmërinë e deklarimeve të saj janë shfaqur shpejt, gjë që ka çuar në verifikime shtesë, të cilat kanë konfirmuar se sulmi nuk ka ndodhur.

Ndaj 35-vjeçares do të ngritët kallëzim penal për “raportim të rremë”, sipas nenit 304 të Kodit Penal. Pasi është konstatuar se bëhej fjalë për vetëdëmtim, është thirrur urgjenca dhe mjekët kanë vendosur se ajo duhet të trajtohet në një institucion të përshtatshëm shëndetësor.

Kujtojmë se një pjesë e mediave të krahut të djathtë në Kroaci kishin raportuar se murgesha ishte sulmuar nga një migrant që kishte thirrur “Allahu Ekber”, duke iu referuar madje edhe “raporteve mjekësore”. Policia i ka mohuar të gjitha këto pretendime, duke theksuar se nuk ka asnjë provë që t’i mbështesë. Publikimin për “sulmin” e kishte shpërndarë për pak kohë edhe Qeveria e Kroacisë, por më pas e kishte hequr.

Kategoritë
LajmeRajoni