Kryetari i Bordit Drejtues të kompanisë turke Baykar, Bayraktar tha se “në botë ndodhen rreth 15 mijë avionë luftarakë” dhe se “avionët luftarakë pa pilot me kohën, ndoshta brenda 30 viteve do t’i zëvendësojnë të gjithë ata”
Kryetari i Bordit Drejtues të kompanisë turke Baykar, Selçuk Bayraktar, duke vënë në dukje se në botë ndodhen rreth 15 mijë avionë luftarakë, tha se “Avionët luftarakë pa pilot me kohën, ndoshta brenda 30 viteve, do t’i zëvendësojnë të gjithë ata. Dhe ky do të jetë një revolucion i madh në aviacionin luftarak”, raporton Anadolu.
Kompania turke e teknologjisë Baykar mirëpriti në Qendrën Kombëtare të Teknologjisë “Ozdemir Bayraktar” delegacionin e Asamblesë Kombëtare të Madhe të Turqisë (TBMM) të kryesuar nga kryeparlamentari Numan Kurtulmus dhe delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s të kryesuar nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello De Vasconcellos.
Gjatë vizitës në terren të realizuar nën udhëheqjen e kryetarit të Bordit Drejtues të Baykar, Selçuk Bayraktar, u zhvillua një prezantim mbi aktivitetet e kompanisë, punimet në fushën e teknologjive të mbrojtjes dhe projektet inovative.
Bayraktar në prezantimin e tij tha se ajo që po bën (avioni pa pilot) KIZILELMA mund të krahasohet me atë që bëri makineria (kompjuteri) që mundi Kasparovin 20 vjet më parë. Ai tha se Kasparovi është një mjeshtër i madh i shahut dhe se ndoshta ka punuar 40 vjet për të arritur në këtë nivel, Bayraktar foli si vijon:
“Por, një makineri me madhësinë e një frigoriferi e mundi Kasparovin. Që nga ajo ditë, madje edhe telefoni im celular mund ta mundë Kasparovin. Pra, ajo përballje nuk ka më ndonjë kuptim. Këtu nuk ka njeri brenda mjetit fluturues. Ai mund të bëjë gjithçka që mund të bëjë një avion luftarak me pilot, madje edhe më shumë, sepse nuk posedon elementin njerëzor”, tha Bayraktar.
“Dhe është shumë më i lirë. Kjo është si një ndeshje shahu e luajtur me makinerinë kundër Kasparovit. Ne nuk kemi nevojë për kohë stërvitjeje. Për të përgatitur një pilot në një pilot luftarak, ndoshta duhet ta stërvitni atë për 10 vjet. Përveç kësaj, ai ka shumë për të humbur, ka një familje. Elementi njerëzor në të vërtetë është zëri më i kushtueshëm”, tha ai.
Në pyetjet e vizitorëve: “A mund të jepni pak më shumë detaje rreth avionit luftarak pa pilot? Si krahasohet ai sot me avionët luftarakë me pilot? Sepse për shumicën e forcave ajrore ai ende nuk shihet si një opsion. Sa kohë mendoni se do të duhet që ai të bëhet një opsion për Forcat Ajrore?”, Bayraktar tha:
“Kur shikoni luftën, përgatitjet, ushtritë në botë, institucionet, ata përgatiten për atë që ka ndodhur herën e kaluar. Por, ju duhet të përgatiteni për atë që do të ndodhë herën tjetër. Askush nuk mund ta parashikonte suksesin e Bayraktar TB2 para kohe. Askush. Pastaj askush nuk mund ta shihte as suksesin e FPV-ve. Askush. As analistët ushtarakë, as oficerët e lartë. Ata që drejtojnë ndryshimin janë vetëm ata që e kontrollojnë atë. Tani, ju e dini, cili ishte filmi i fundit Top Gun? Përsëri ishte se fuqia e njeriut do të mundte makinerinë. Jo, nuk është ashtu, sepse makineria po e bën këtë. Si një bishë”.
Bayraktar më tej shton: “Ja këtu, ata janë ndryshuesit e lojës të së ardhmes dhe ne nuk duhet t’i krahasojmë ata, për shembull, me avionët e gjeneratës së parë, të dytë, të tretë, të katërt, të pestë apo të gjashtë. Ata nuk janë të gjeneratës së shtatë, as nuk janë avionë luftarakë pa pilot të një gjenerate. Këta janë një lloj tjetër. Këta janë robotë. Disa vende, për shembull SHBA-ja, flasin për avionin luftarak të gjeneratës së gjashtë”.
“Kjo është një platformë me pilot. Ndërsa kjo është një platformë pa pilot, një platformë që nuk ka një gjeneratë. Ky është një robot. Një bishë. Shumë e rrezikshme. E lirë. Mund ta stërvitni atë. Çfarë është 90 për qind e të gjitha fluturimeve me xhet? Fluturime stërvitore. Pra, nëse keni 10 avionë, nëntë prej tyre përdoren për stërvitje gjatë gjithë jetës së tyre. Ju mbetet vetëm një avion për të luftuar. Ndërsa këtu nuk ka nevojë për stërvitje, sepse një kompjuter nuk ka nevojë për këtë. Vetëm softuer. Pasi të jetë optimizuar një herë, që optimizohet vazhdimisht, puna ka mbaruar”, theksoi Bayraktar duke shtuar se:
“Mund ta kopjoni kapacitetin menjëherë. Kopjimi i kapacitetit zgjat mikrosekonda, aq sa një përditësim softueri. Atëherë, kur do të vijë kjo? Kjo është një pyetje e mirë. Do të duhet një kohë e gjatë. Por, do të vijë kur kapacitetet të shfaqen në një luftë. Dhe ajo të vijë. Ne jemi pionierë në këtë çështje, ndoshta ne do t’ia tregojmë botës këtë”.
– “Parandalimi është shumë më i vështirë”
Në pyetjen: “Ku i shihni kompetencat tuaja në çështjen e parandalimit dhe si e shihni zhvillimin e tregut të parandalimit të mjeteve ajrore pa pilot që sulmojnë vendin tuaj?”, Bayraktar tha:
“Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Parandalimi është shumë më i vështirë, veçanërisht parandalimi i mjeteve ajrore pa pilot kamikaze të lira. Dhe nga pikëpamja ekonomike, ana e parandalimit është shumë e pafavorshme. Parandalimi do të jetë gjithmonë shumë më i kushtueshëm. Shikoni sulmet e fundit, për shembull në luftën Rusi-Ukrainë, ndonjëherë dërgojnë 1.000 copë”.
“Parandalimi i kësaj në të shumtën e rasteve është shumë më i kushtueshëm. Nuk mund t’i parandaloni të gjitha. Gjithmonë ka një kufi ngopjeje. Atëherë, ku arrijmë këtu? Ose një shkatërrim total për të dyja palët, ose lënia e luftës. Dhe mendoj se ajo që duhet të kuptojmë është kjo: shkatërrimi nuk ka fund”, thotë ai.
“E dini, nëse do të shkatërrojmë veten, kemi shumë armë. Bota ka shumë armë. Mendoj se duhet ta kuptojmë këtë. Nuk është e arsyeshme të prodhohen aq shumë armë. Të jesh i zgjuar dhe të përpiqesh të ndërtosh një botë paqësore është shumë më e lirë. Unë jam një shkencëtar i robotikës dhe një prodhues i dronëve të armatosur (IHA). Mund të thoni se pse thoni një gjë të tillë. Por, problemi është çekuilibri në botë”, thotë Bayraktar.
“Disa vende shpenzojnë më shumë para se e gjithë bota për të prodhuar armë shkatërrimi. Kur bëhet fjalë për të mbrojtur veten, kjo është jashtëzakonisht e vështirë. Nuk keni pothuajse asnjë opsion. Pra, ka një çekuilibër të vazhdueshëm. Prandaj fatkeqësisht parandalimi, është jashtëzakonisht i vështirë. Në këtë epokë nuk mund ta ndaloni përhapjen e teknologjisë. Gjithçka është online. Për t’i bërë ballë kësaj, ju duhet të jetoni pothuajse brenda gardheve dhe kafazeve. Dhe kjo nuk është shumë e zgjuar. Të ndalosh luftërat është gjithmonë shumë më e mençur”, tha ai.
“Por, nëse shikoni botën tani, disa qindra kilometra më tutje po përjetohet një gjenocid dhe në botë nuk ka asnjë institucion për ta ndaluar këtë. Institucionet kanë mbaruar, në thelb. Rregullat kanë mbaruar. Kështu po vazhdon. Njerëzimi, ashtu si në Luftën e Dytë Botërore, do të shkatërrojë veten për shkak të mjeteve që ka në dorë”, u shpreh ai.
– Mjedisi i ardhshëm i luftimit
Në pyetjen: “Si e imagjinoni këtë teknologji pas 10, 20 vitesh? Sepse mbase jemi ende në fillim. Dhe mendoj se lufta është plotësisht e lidhur me këtë teknologji të re, në të ardhmen. Ndoshta personi që mund të na ndihmojë të imagjinojmë se si do të jetë kjo teknologji pas 10, 20 vitesh jeni ju”, Bayraktar dha këtë përgjigje:
“Po, kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Së pari, është shumë e vështirë të imagjinohet, sepse jetojmë në një epokë eksponenciale (exponential). Gjithçka po ndryshon. Është e vështirë të imagjinohet 30 vjet më pas. 5 vjet, po. 10 vjet, mendoj se mund ta bëjmë. 30 vjet është shumë e vështirë. Dhe shpresoj se ne, për shembull si Baykar, do ta vazhdojmë këtë si një kompani teknologjike. Si mund të jemi më shumë në anën civile, kryesisht në anën civile?”.
“Sepse zhvillimi i teknologjisë jo për armë, por për të shëruar sëmundjet njerëzore ose për nevojat njerëzore është gjithmonë shumë më i mirë. Por, fatkeqësisht bota në të cilën jetojmë na shtyn edhe më shumë drejt anës së mbrojtjes. Aktualisht industria e mbrojtjes po rritet. Të ardhurat e Baykar janë shumë më të larta. Me shumë mundësi do të vazhdojë kështu”, tha ai.
Sipas tij, “Është e vështirë të imagjinohet se çfarë do të ndodhë pas 30 vitesh”. “Sepse siç thashë, edhe nga pikëpamja e terrorit është jashtëzakonisht e vështirë të ndalohet përhapja. Mendoj se kjo është shumë e rrezikshme. Si hulumtues, ne e dinim këtë 20 vjet më parë. Dronët me armë (IHA), për shembull nga pikëpamja e terrorit janë jashtëzakonisht të rrezikshme, gjithashtu nga pikëpamja e mbrojtjes janë shumë vdekjeprurëse ose shumë të afta”, tha Bayraktar.
“Por, tani jemi në një nivel tjetër në kontekstin e kapacitetit të inteligjencës artificiale, aktualisht çdo gjëje po quhet inteligjencë artificiale. Në fakt nuk është inteligjencë artificiale, janë algoritme të nivelit të avancuar. Këto algoritme i kishim edhe që më parë. Tani ato janë miniaturizuar. Fakti që kompjuteri flet, nuk do të thotë se ai kupton diçka. Nuk kupton asgjë”, nënvizon ai.
Bayraktar shton se tani çdo gjë është miniaturizuar dhe është e pranishme kudo online. “Pra, është e vështirë të imagjinohet se ku do të shkojë pas 30 vitesh. Por, brenda 10 viteve mund të them këtë: Dronët me armë (IHA) do të rriten. Do të jenë në çdo madhësi. Në botë ndodhen rreth 15 mijë avionë luftarakë. Avionët luftarakë pa pilot me kohën, ndoshta brenda 30 viteve, do t’i zëvendësojnë të gjithë ata. Dhe ky do të jetë një revolucion i madh në aviacionin luftarak”, tha ai duke shtuar se:
“Shpresoj që një ditë të mund të ribashkojmë rendin botëror dhe të themi ‘armët nuk janë të mira’. Shpresoj ta bëjmë këtë një ditë. Por, tani fatkeqësisht nuk është koha për këtë. Të gjitha institucionet, të gjitha rregullat, secila prej tyre po shkatërrohet një nga një”.









