– Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha se pasi presidentja t’i përfundojë të gjithë takimet e planifikuara do të dihet nëse Lëvizja Vetëvendosje “ka lëvizur ose jo nga kryeneçësia e saj”
Kreu i partisë së dytë më të madhe të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Memli Krasniqi dhe kreu i partisë së dytë më të madhe, Lumir Abdixhiku, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani kanë deklaruar se presin nga partia e parë Lëvizja Vetëvendosje që ta zhbllokojnë situatën për formimin e institucioneve të reja shtetërore, raporton Anadolu.
Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha se pasi presidentja t’i përfundojë të gjithë takimet e planifikuara do të dihet nëse Lëvizja Vetëvendosje “ka lëvizur ose jo nga kryeneçësia e saj”.
Krasniqi u shpreh se në takim i ka shpalosur qëndrimet e PDK-së, duke ri-konfirmuar rolin e partisë që ai udhëheq për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike, sidomos pas aktgjykimit të publikuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Aktgjykimi i ka bërë të qartë rolet e secilit, në radhë të parë për koalicionin që ka dalë i pari në zgjedhje, të cilin e ka detyruar përveç tjerash edhe për gjetjen e konsensusit apo kompromisit. Unë shpresoj që edhe këto konsulta të jenë në funksion të gjetjes së rrugëdaljes, por mbetet që takimet tjera të planifikuara nga presidentja të qartësojnë ka apo nuk ka një ndryshim të kryeneçësisë politike të Lëvizjes Vetëvendosje apo Kurtit”, theksoi Krasniqi.
Ndërkaq, Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pas takimit me presidenten Osmani tha se e mirëpresin ftesën e presidentes dhe përfshirjen e saj në këtë proces.
Abdixhiku tha se tashmë ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që është shumë i qartë sa i përket mënyrës së votimit, por mbi të gjitha është i qartë sa i përket thelbit të problemit.
“Thelbi i problemit është që i takon partisë së parë, grupit më të madh parlamentar, që të propozojë, por edhe njëkohësisht të krijojë shumicën parlamentare. Në këtë vijë ne presim që zgjidhja të bëhet nëpërmjet insistimit për shumicë politike e pastaj për respektim të domosdoshëm të procedurave kushtetuese që tashmë janë edhe rregulla ligjore. Pra, tani jemi para rregullave ligjore sepse ka një aktgjykim që thotë se zgjedhja e kryeparlamentarit bëhet sipas praktikave parlamentare të deritanishme”, tha Abdixhiku.
Ai tutje tha se LDK-ja ka qëndrim parimor dhe me vullnet e bindje dëshiron të votojë kundër kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar.
Ai gjithashtu tha se vendit i duhet kapërcimi i kësaj krize politike artificiale, duke shtuar se Kurti është duke qeverisur me rezultat të para katër vjetëve.
Në mëngjesin e sotëm, presidentja Osmani ka takuar edhe kryetarin e partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, i cili pas takimit tha se do të bëjnë çmos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës në afatin e caktuar nga Gjykata Kushtetuese, jo më larg se 26 korriku 2025.
Pas takimeve me krerët e partive parlamentare shqiptare, presidentja Osmani gjatë ditës së nesërme pritet t’i takojë edhe përfaqësuesit politikë të partive të minoriteteve, për t’u konsultuar rreth gjetjes së një rruge për formimin e institucioneve të reja, Kuvendit të Kosovës dhe më pas Qeverisë