Kremlini zbulon: Rusia do të përpiqet të ringjallë planin e vitit 2022 në negociata

Zyra e presidentit rus Vladimir Putin ka bërë të ditur se Rusia do të nisë negociatat, të propozuara Ukrainës, mbi bazën e planit të paraqitur në vitin 2022, vetëm disa muaj pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës.

Ky plan u hartua në prill të vitit 2022 në Stamboll, pasi bisedimet për armëpushim u zhvendosën nga Bjellorusia në Turqi.

Dokumenti i njohur si “komunikata e Stambollit” trajtonte kryesisht të ardhmen ushtarake të Ukrainës dhe parashikonte që Ukraina të heqë dorë nga ambicia për t’u anëtarësuar në NATO, në këmbim të garancive të sigurisë nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Britania e Madhe, Kina, Franca, Rusia, SHBA), si dhe disa vende të tjera.

Po ashtu, dokumenti parashikonte që statusi i Krimesë – gadishull i aneksuar nga Rusia, por që sipas së drejtës ndërkombëtare i takon Ukrainës – të diskutohej pas 10 deri në 15 vjetësh.

Ukraina do të merrte gjithashtu garanci nga Bashkimi Evropian për përshpejtimin e rrugës së saj drejt anëtarësimit, do të kufizohej madhësia e ushtrisë së saj dhe do të ndalohej stacionimi i bazave të ushtrive të huaja në territorin ukrainas.

Kujtojmë se ftesa për negociatat më 15 maj në Stamboll u bë nga Putin, pasi Ukraina, me mbështetjen e aleatëve (Gjermania, Polonia, Britania e Madhe dhe Franca), propozoi një armëpushim 30-ditor. Megjithatë, Putin ende nuk ka deklaruar qartë nëse do ta pranojë këtë armëpushim.

Kategoritë
BotaLajme