Kremlini: Rezervat e armëve amerikane janë pakësuar ndjeshëm

“Pati operacione ushtarake në Gjirin Persik gjatë agresionit kundër Iranit. Përveç kësaj, SHBA-ja vazhdon të furnizojë Ukrainën me sasi të konsiderueshme armësh”, tha Peskov

Rusia tha sot se SHBA-ja planifikon të zgjerojë prodhimin e armëve përmes prodhuesve të mëdhenj të automjeteve, duke reflektuar pakësimin e rezervave ushtarake amerikane për shkak të konflikteve të fundit dhe ndihmës së vazhdueshme ushtarake për Ukrainën, transmeton Anadolu.

Duke komentuar në një konferencë për media në Moskë mbi vërejtjet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump se kompani të tilla si “Ford” dhe “General Motors”, së bashku me prodhues të tjerë, së shpejti mund të fillojnë të prodhojnë pajisje ushtarake, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e përshkroi situatën si “mjaft të kuptueshme”.

“Pati operacione ushtarake në Gjirin Persik gjatë agresionit kundër Iranit. Përveç kësaj, SHBA-ja vazhdon të furnizojë Ukrainën me sasi të konsiderueshme armësh. Natyrisht, rezervat dhe depot janë pakësuar ndjeshëm dhe kanë nevojë për rimbushje”, tha ai.

Peskov theksoi se “Militarizimi i ekonomisë amerikane po ndodh”.

Presidenti amerikan Trump tha të hënën se kompanitë amerikane “Ford” dhe “General Motors” si dhe prodhues të tjerë të automjeteve, së shpejti mund të fillojnë prodhimin e armëve për të rimbushur arsenalet e forcave të armatosura të vendit, përfshirë raketat interceptuese për sistemet raketore tokë-ajër “Patriot” dhe raketat lundruese “Tomahawk”.

I pyetur për situatën në ekonominë ruse, ai tha se stabiliteti makroekonomik mbeti i sigurt pavarësisht paqëndrueshmërisë në tregjet globale të naftës. “Aktualisht nuk ka arsye për të dyshuar në stabilitetin makroekonomik të vendit tonë”, tha Peskov duke shtuar se çështja është diskutuar vazhdimisht në takimet ekonomike të kryesuara nga presidenti Vladimir Putin.

Ai pranoi se luhatjet në çmimet e naftës ndikojnë në ekonomitë në mbarë botën, përfshirë atë të Rusisë, por argumentoi se ekonomia e vendit mbeti e qëndrueshme. Peskov tha se pjesa e të ardhurave që nuk vijnë nga nafta dhe gazi në buxhetin e Rusisë po rritet, megjithëse të ardhurat nga sektori i energjisë vazhdojnë të japin kontribut të rëndësishëm në financat e shtetit.

“Të ardhurat nga nafta mbeten kontribut i konsiderueshëm në formimin e buxhetit tonë, por edhe pjesa e të ardhurave që nuk vijnë nga nafta dhe gazi po rritet”, tha ai.

Kategoritë
BotaLajme