Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka konfirmuar se ka pranuar një ftesë nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për një takim, për të mërkurën.
Ftesa e presidentes për partitë politike ndërlidhet me ngërçin në Kuvend.
Krasniqi e ka vlerësuar si pozitive angazhimin e Osmanit, por është shprehur skeptik për sa i përket rezultatit të takimit.
“Qëndrimi jonë është ai që kemi pasur gjithmonë. Ka dy tre muaj që mundohemi me gjetë zgjidhje me ofru kompromise, për të dal nga kjo situatë. Nesër prapë do të jem tek presidentja. Këtë e shoh pozitive në kuptimin e angazhimit, por s’di çka të them për mundësinë e rezultatit. Sepse bllokada është prodhim i kryeneqësisë politike të VV-së“, ka thënë Krasniqi.
Një ftesë për takim, por për të enjten e konfirmoi sot se e ka marrë edhe deputetja boshnjake, Duda Balje.
Ky është takimi i dytë që Osmani pritet ta zhvillojë me partitë politike për ngërçin në Kuvend.