Kosovë, qeveria lehtëson masat për mbrojtje nga COVID-19

Qeveria në detyrë e Kosovës, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka miratuar lehtësimin e masave për mbrojtjen nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bën të ditur komunikata nga Zyra e Kryeministrit, vendimi u mor në një mbledhje elektronike të qeverisë.

Me këtë vendim, është hequr ora policore në vend, ndërkohë që studentët do të vazhdojnë ligjëratat në objektet e fakulteteve, me prani fizike dhe jo me mësime “online”.

Ndërkaq, të gjithë operatorëve ekonomik, në të gjitha komunat e vendit, do t’u lejohet të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 10 të mbrëmjes.

Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me rrezik të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së (Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve), duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit. Përjashtim bëjnë qytetarët që largohen nga Kosova brenda tri ore, transportuesit, udhëtarët që shfrytëzojnë Kosovën si rrugë transit dhe diplomatët e akredituar.

Po kështu, test RT-PCR negativ duhet të paraqesin të gjithë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër), gjatë hyrjes në Kosovë, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetizolohen për shtatë ditë. Nga ky detyrim përjashtim bëjnë ata që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.

Masat e reja ndalojnë grumbullimin e qytetarëve në numër prej më shumë se 50 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 80 persona me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim.

Vendimi i qeverisë ka hyrë në fuqi që nga nënshkrimi dhe obligon institucionet kompetente t’i zbatojnë masat, deri në një tjetër vendim të radhës.

Kategoritë
LajmeVendi