Kosovë, miratohen masa të reja të mbrojtjes nga pandemia COVID-19

Në Kosovë sot është regjistruar numër rekord i rasteve të reja pozitiv me COVID-19, prej 728 rasteve, me çka numri i përgjithshëm është rritur në 22.934

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën është miratuar vendimi për masat e reja për mbrojtjen nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës emergjente nga pandemia e COVID -19, Ministria e Shëndetësisë ka propozuar vendimin për ndërmarrjen e masave të mbrojtjes nga pandemia COVID-19.

Me vendim të ri, u ndalohet veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 8 të mbrëmjes nga sot, deri të hënën e 9 nëntorit në orën 5 në mëngjes, përveç: furrave të bukës, barnatoreve, marketeve të vogla, pompave të derivateve.

Gjithashtu puna nuk u ndalohet institucioneve shëndetësore publike dhe private për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale; aktivitetet që ndërlidhen me menaxhimin e COVID 19, si dhe operatorëve ekonomik dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e furnizimit.

Vendimi obligon Policinë e Kosovës të bëjë kontroll rigoroz në zbatim të masave, vendimeve dhe Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës, kurse për të gjithë shkelësit e këtyre masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Në Kosovë sot është regjistruar numër rekord i rasteve të reja pozitiv me COVID-19, prej 728 rasteve, me çka numri i përgjithshëm është rritur në 22.934.

Kategoritë
LajmeVendi