Kosovë, ministrja Dumoshi takohet me ambasadorin turk Sakar

“Turqia është një shtet i cili është i dëshmuar për ekspertizën e saj dhe mundësia e Kosovës është e madhe që të përfitojë në këtë drejtim”, tha ministrja Dumoshi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Turqisë në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dumoshi tha se ministria që drejton ajo ka një bashkëpunim të shkëlqyer me ambasadën turke në Kosovë, gjë që sipas saj tregon “për raportet e mira që kemi si dy vende e që për rrjedhojë ka ardhur edhe tek një marrëveshje që kemi nënshkruar në Ankara në fund të vitit të kaluar në fushën e kinematografisë”.

“Turqia është një shtet i cili është i dëshmuar për ekspertizën e saj dhe mundësia e Kosovës është e madhe që të përfitojë në këtë drejtim. Turqia është e njohur në botë për prodhimin filmik dhe me nënshkrimin e marrëveshjes në këtë fushë kemi hapur një shteg për shumë punë të përbashkëta”, tha ministrja Dumoshi.

Ministrja ka përmendur edhe bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë kulturore dhe të kulturës, raport i cili duhet të forcohet edhe më shumë në të ardhmen.

Ndërkaq, ambasadori Sakar e falënderoi ministren për pritjen dhe fjalët. Ai tha se me marrëveshjet që nënshkruan dy ministritë në Turqi tregohen raportet e mira që kanë dy shtetet.

Ndonëse Kosova po kalon nëpër një proces të ardhshëm zgjedhor me konstituimin e institucioneve të reja, sipas Sakar, “bashkëpunimi do të vazhdojë në të njëjtën frymë”.

Ministri i Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Vlora Dumoshi, nënshkruan marrëveshjen për “Bashkëpunim Kinematografik Ndërqeveritar” në dhjetor të vitit të kaluar në Ankara.

Kategoritë
LajmeVendi