Kosovë, ministri për Komunitete dhe Kthim, Rashiq priti në takim ambasadorin turk Angılı

Ministri për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq ka pritur në takim Ambasadorin e Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunc Angılı, me të cilin ka adresuar çështje thelbësore rreth integrimit të komuniteteve dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, me fokus në sfidat dhe mundësitë lidhur me këtë temë, transmeton Anadolu.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se Rashiq dhe Angılı diskutuan mbi strategjitë dhe iniciativat e nevojshme për të siguruar integrimin e suksesshëm të komuniteteve në shoqëritë ku ata jetojnë, derisa diskutimi u përqendrua në përkrahjen e projekteve që synojnë të promovojnë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e komuniteteve në zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor.

Në një kohë kur integrimi dhe mbështetja e komuniteteve të ndryshme janë shqetësime të rëndësishme për shumë vende, Rashiq dhe Angılı diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërlidhjes së projekteve që do të ndikojnë në përmirësimin e kushteve jetësore të këtyre komuniteteve.

Gjatë takimit, u theksua nevoja për përpjekje të përbashkëta, investime dhe iniciativa inovative që do të kontribuojnë në krijimin e rrethanave të përshtatshme për integrimin dhe përmirësimin e jetës së komuniteteve të ndryshme, ku ambasadori Angılı shprehu gatishmërinë e Türkiyes për të mbështetur dhe bashkëpunuar në këtë fushë.

Ministri Rashiq vlerësoi përvojën dhe gatishmërinë e Türkiyes për të përcjellë njohuri dhe për të bashkëpunuar në këtë fushë duke shtuar se një bashkëpunim i fortë ndërkombëtar do të kontribuojë në ndërtimin e shoqërive më të përparuara dhe të drejta për të gjithë.

Takimi përfundoi me një deklaratë të përbashkët të bashkëpunimit të dy palëve në fushën e integrimit të komuniteteve dhe synimeve për të siguruar zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve jetësore për komunitetet në nevojë.

Kategoritë
LajmeVendi