Kosovë, masë paraburgimi për 7 të pandehur për pjesëmarrje në rrahjen e Nikolla Rashiqit

Personat në fjalë ishin arrestuar ditën kur ishte kryer vepra ku si pasojë Nikolla Rashiq, djali i politikanit serb Nenad Rashiq, kishte “përfunduar i lënduar rëndë”, sipas autoriteteve të shëndetësisë në vend

Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër shtatë të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “pjesëmarrje në rrahje në bashkëkryerje” në rastin e Nikolla Rashiqit, djalit të politikanit Nenad Rashiq, transmeton Anadolu Agency (AA).

Personat në fjalë ishin arrestuar ditën kur ishte kryer vepra ku si pasojë Nikolla Rashiq kishte “përfunduar i lënduar rëndë” sipas autoriteteve të shëndetësisë në vend.

Shtatë të pandehurve “gjykata iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç, pasi që e njëjta ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të neneve të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, bëri të ditur gjykata në një komunikatë për media.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, se ekziston rreziku se me gjetjen e tyre në liri, të njëjtit mund të ikin apo arratisen për ti ikur përgjegjësisë penale në këtë fazë të procedurës, po ashtu të pandehurit nëse do të jenë në liri mund t’i asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo falsifikojnë provat e veprës penale duke ndikuar tek i dëmtuari Nikolla Rashiq, thuhet në komunikatë.

Po kështu, marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet të jetë kryer vepra penale, gjykata e ka konsideruar lirimin e të pandehurve ngase “mund të përsërisin veprën penale apo vepra të ngjashme penale”.

Shtatë të pandehurit, sipas gjykatës, dyshohen se me datë 23 shkurt të këtij viti, në fshatin Llapnasellë në Graçanicë, përkatësisht në afërsi të shkollës fillore “Miladin Mitic”, pasi i dëmtuari Nikolla Rashiq ishte në autobusin lokal me shokët e tij, me të zbritur, kanë sharë dhe ofenduar të dëmtuarin, ku dhe më pas ka filluar rrahja në mes të dy grupe ndërmjet të pandehurve, me ç’rast të dëmtuarit Nikolla Rashiq i janë shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Në një konferencë për media, dje politikani Nenad Rashiq tha se djali i tij u sulmua me doreza boksi prej hekuri, çekanë dhe thika. Duke folur për motivet e këtij akti të cilin e kanë dënuar krerë të institucioneve të larta në Kosovë, Rashiq potencoi se mund të jetë nxitur nga disa deklarata të politikanëve në Kosovë, duke përmendur në mënyrë specifike emrin e nënkryetarit të partisë Lista Serbe, Dalibor Jevtiq.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi