Kosovë, Kurti dhe Osmani takohen me përfaqësuesit politik të minoriteteve

Në fund të takimeve, Kurti dhe Osmani kanë takuar kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe zv/presidentin e kësaj partie, Dalibor Jevtiq

Përfaqësuesit e minoriteteve në Kuvendin e Kosovës kanë zhvilluar takime të ndara me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili njëherësh është kandidat për kryeministër dhe kandidaten për presidente nga kjo parti, Vjosa Osmanin, raporton Anadolu Agency (AA).

Fikrim Damka nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) e cila ka siguruar dy deputetë në Kuvend nga zgjedhjet e fundit, theksoi se nuk do ta bllokojnë formimin e institucioneve të reja të Kosovës, por për dy votat e deputetëve nga kjo parti do të vendoset në ditët e ardhshme.

Po kështu, Damka tha se në takim me Kurtin kanë shtruar disa kërkesa, duke përfshirë edhe atë që KDTP të udhëheqë një ministri.

“Nuk kemi vendosur a do të votojmë apo jo sepse vazhdojnë bisedimet tona me Kurtin. Ky ka qenë një fillim, vazhdimi do të jetë deri të premten. Por, do të qëndrojmë në sallë, për presidentin, për krijimin e institucioneve të Kosovës, ndërsa për Qeverinë do të vazhdojmë bisedimet deri të premten”, theksoi Damka.

Damka potencoi se me Kurtin dhe Osmanin kanë biseduar edhe për çështjen e ndërtimit të Ambasadës së Kosovës në Kuds, teksa theksoi se “do të varet nga vullneti i Qeverisë së ardhshme se si do t’i marrë hapat për këtë çështje”. Por, ai tha se, si dy deputetë do të jenë pranë që të ketë një zgjidhje të përbashkët me BE-në, OKB-në dhe me Turqinë rreth çështjes së ambasadës.

Kurti pas takimit me dy deputetët e ardhshëm nga KDTP, është takuar edhe me përfaqësues të komunitetit boshnjak, Emilja Rexhepin nga Nova Demokratska Stranka, Rasim Demirin nga Koalicioni Vakat si dhe Duda Balje nga Social Demokratska Unija.

Balje dhe Rexhepi deklaruan se do ta përkrahin me votë në Kuvend për kryeministër Albin Kurtin dhe për presidente Vjosa Osmanin, ndërkaq kreu i Koalicionit Vakat, Rasim Demiri, thekoi se dy partitë e këtij koalicioni do të merren vesh fillimisht brendapërbrenda dhe më pas do të dalin me qëndrim për mbështetjen ose jo të Kurtit dhe Osmanit.

“Siç e dini edhe ju VAKAT-i gjithmonë ka qenë për formimin e institucioneve, 20 vite ne kemi mbështetur dhe kemi punuar për këto institucione, kemi nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë dhe besoj se edhe tani do të bëjmë njëjtë, pa marrë parasysh që nuk kemi biseduar diçka konkret për pozitat”, theksoi ai.

Po kështu, votën pro Kurtit kryeministër dhe Osmanit presidente e konfirmuan edhe përfaqësuesi i komunitetit egjiptian, Elbert Krasniqi nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, përfaqësuesi i komunitetit rom, me deputetin e ardhshëm Erxhan Galushi nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës si dhe komuniteti ashkali nëpërmjet zyrtarit të Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Qazim Rrahmani.

Përfaqësuesi i partisë rome Romani Iniciativa si dhe ai i partisë së goranëve Jedinstvena Goranska Partija, nuk kanë zhvilluar sot takime me Kurtin dhe Osmanin.

Në fund të takimeve, Kurti dhe Osmani kanë takuar kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe zv/presidentin e kësaj partie, Dalibor Jevtiq, të cilët nuk u deklaruan për media.

Më 11 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit ku në vazhdim i është hapur rrugë formimit të institucioneve të reja, konstituimit të Kuvendit të Kosovës, formimit të Qeverisë si dhe më pas emërimit të Presidentit.

Sipas renditjes së vendeve në parlament, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë, Lista Serbe ka siguruar 10 vendet e rezervuara për minoritetin serb, ndërsa nga minoritetet tjera joserbe Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka siguruar 2 deputetë dhe nga 1 deputetë kanë siguruar Koalicioni Vakat, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Romani Iniciativa, Nova Demokratska Stranka, Social Demokratska Unija, Jedinstvena Goranska Partija, Partia e Ashkalinjëve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi