Kosovë, diplomon gjenerata 2025 e kadetëve të FSK-së

Diplomimi i kësaj gjenerate të FSK-së, u përcoll nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari dhe përfaqësues tjerë institucionesh dhe familjarë.

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë ka diplomuar gjenerata e vitit 2025 e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), raporton Anadolu.

Diplomimi i 18 kadetëve të kësaj gjenerate me oficere dhe oficerë të rinj të FSK-së, u përcoll nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari dhe përfaqësues tjerë institucionesh dhe familjarë.

Presidentja e Kosovës, njëherësh komandantja supreme e FSK-së, Vjosa Osmani, uroi oficerët e FSK-së për shërbim të ndritur me përkushtim, vendosmëri dhe dinjitet.

Osmani tha se gjenerata 2025 janë pasqyrë e një force që ecën me hap të sigurt drejt NATO-s, drejt standardeve më të larta të mbrojtjes dhe rolit të saj të denjë në mbrojtjen e paqes brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës.

“Mos harroni kurrë se detyra juaj nuk është vetëm ta mbroni territorin, por, mbi të gjitha dinjitetin e një populli që ka sakrifikuar shumë, të ruani paqen dhe të jeni gjithmonë në anën e drejtë të historisë”, theksoi Osmani.

Osmani tha se FSK-ja është besimi që Kosova do të jetë gjithmonë në duar të sigurta.

Kryeministri në detyrë Kurti tha se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes u ngrit në 208 milionë euro, apo 2 për qind e bruto-produktit vendor, kriter ky i plotësuar nga vetëm 7 shtete anëtare të NATO-s.

“Kemi mbi 300 milionë euro investime në katër vjetët e fundit dhe mbi 2.700 ushtarë e oficerë shtesë të rinj të rekrutuar, pra, 123 për qind më shumë ushtarë se sa në vitin 2021. Ushtria jonë po ecën me hapa të shpejtë drejtë zhvillimit, me kapacitete të plota si ushtri profesionale, me ushtarakë të përgatitur e të pathyeshëm, për sovranitet shtetëror e integritet territorial, për paqe për mbarë shoqërinë, për siguri për gjithë qytetarët”, theksoi Kurti.

Diplomimi i gjeneratës 2025 të FSK-së korrespondon edhe me 20-vjetorin e themelimit të Qendrës për Studime Universitare, prej së cilës kanë dalë qindra oficerë ushtarakë për vite me radhë.

Kadetët të cilët diplomuan sot janë trajnuar me modulin arsimor e stërvitor sipas doktrinës së ushtrisë amerikane dhe NATO-s.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi