Kosova zotohet për përgatitjen e një draft-dokumenti për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe

Në një konferencë për media, ministrja Gërvalla, tha se draft-dokumenti për krijimin e këtij mekanizmi do të siguronte jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, por do të pamundësonte edhe ndërhyrjen e palejueshme nga jashtë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, tha se duke vlerësuar rëndësinë që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës (KiE), i ka dërguar letër KiE-s duke u zotuar për përgatitjen e një draft-dokumenti për krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një konferencë për media, ministrja Gërvalla tha se draft-dokumenti për krijimin e këtij mekanizmi do të siguronte jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, por do të pamundësonte edhe ndërhyrjen e palejueshme nga jashtë.

“Zotimi ynë në letrën dërguar Këshillit të Evropës është zotim serioz dhe i sinqertë dhe është ripërsëritje e ofertës së kryeministrit Kurti më 18 mars 2023 në Ohër, më 2 maj 2023 në Bruksel por edhe gjatë javëve të fundit. Një draft-dokument i Qeverisë së Kosovës do të ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës”, theksoi Gërvalla.

Në letrën e dërguar nga ministrja Gërvalla thuhet se drafti do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim deri në fund të muajit maj.

Sipas saj, një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat.

“Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vetë të detyrimit dhe ta ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur këto kushte”, theksoi Gërvalla.

Kosova është vetëm edhe një hap larg anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës, institucionin ndërkombëtar me seli në Strasburg.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e KiE-së mbështeti raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, por, anëtarësimi nuk është vendosur në agjendën e takimit të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit për 17 maj.

Gjatë javës së kaluar u bë e ditur se dy nga shtetet më të fuqishme të BE-së, Gjermania dhe Franca, kanë mbetur në qëndrimin për ta mbështetur Kosovën në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, vetëm në rast se Prishtina zyrtare ndërmerr veprime të prekshme në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili refuzoi kërkesën që Asociacioni të jetë parakusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, shtoi se pengesat për anëtarësim në KiE i kanë menduar nga vendet që ende nuk e njohin Kosovën, por assesi nuk mendonin se pengesë do të bëheshin shtetet demokratike që kanë qenë dhe janë përkrahëse të Kosovës.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi