Kosova rrezikon krizë buxhetore nëse komunat dhe Kuvendi nuk miratojnë projektet për vitin 2026

Kosova tash e disa muaj vazhdon të ballafaqohet me mungesën e institucioneve. E nëse deri në dhjetor Kuvendi i Kosovës, nuk arrin që ta miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, atëherë vendi rrezikon të përballet me një krizë financiare, raporton Ekonomia Online.

Ndërkohë që disa komuna, nuk po arrijnë që t’i miratojnë buxhetet në Kuvendet Komunale të tyre, kjo edhe si shkak i zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor.

Megjithëse, Komunat duhej t’i dorëzonin projektbuxhetet deri më 1 shtator dhe t’i miratonin deri më 30 shtator, përndryshe Ministria e Financave mund të hartojë buxhet të përkohshëm. Nëse Kuvendi i Kosovës nuk funksionalizohet deri në fund të dhjetorit, vendi do të ketë buxhet vetëm për muajin janar të vitit 2026.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi në një intervistë për Ekonomia Online tregoi kërkesën që kanë bërë në adresën e Ministrisë së Financave.

“Ne si bord i asociacionit kemi kërkuar nga Ministria e Financave që t’iu lejohet komunave miratimi i buxhetit pas afatit ligjor… sepse do të ishte shumë më mirë që kryetarët e ardhshëm dhe anëtarët e kuvendeve komunale të miratojnë buxhetet dhe të punojnë me ato buxhete vitin e ardhshëm,” deklaroi ai, duke shtuar se deri tani “ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Financave”, tha Ibrahimi për Ekonomia Online.

Ibrahimi paralajmëroi se mosmiratimi i buxheteve në kohë sjell pasoja ligjore dhe financiare.

“Nëse kuvendet komunale nuk arrijnë që deri më 30 shtator t’i miratojnë buxhetet e tyre, ministri e ka të drejtën ta hartojë një buxhet për ato komuna duke u bazuar në shpenzimet e vitit të kaluar, mirëpo kjo nuk do të thotë që mund të mbarojë gjithçka,” theksoi ai për EO.

Ai shtoi se rreziku më i madh lidhet me buxhetin e përgjithshëm të Kosovës.

“Nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrinë që deri në fund të dhjetorit ta miratojë buxhetin e Republikës për vitin e ardhshëm, Kosova ka buxhet vetëm për janarin e vitit 2026… në të kundërtën, që nga 1 marsi Kosova do të ketë krizë financiare të jashtëzakonshme që nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovën e pasluftës,” paralajmëroi Ibrahimi.

Ndërkaq disa komuna ende nuk e kanë miratuar buxhetin për vitin 2026. Në mesin e tyre janë Prishtina, Gjilani dhe Zveçani. Komuna e Rahovecit gjithashtu ka njoftuar se ka shtyrë miratimin e buxhetit për 2026, duke argumentuar se do ta diskutojnë pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Kategoritë
LajmeVendi