Në fund të vitit 2021, dy vëllezërve nga Prishtina, Mirsad dhe Fatlum Sopjani, u ishte konfirmuar dënimi për veprën penale “pastrim parash”.
Përveç konfiskimit të pasurisë prej gati një milion eurosh, atyre iu shqiptuan edhe dënimet me kusht me nga dy vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë.
Por, edhe në këtë rast, dënimi i tyre ishte vendosur të ekzekutohej vetëm nëse ata do të kryenin edhe ndonjë vepër tjetër penale në dy vjetët e ardhshëm.Që atëherë, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm hapa për luftimin e këtij fenomeni.
“Rastet e pastrimit të parave, me të vërtetë, nuk trajtohen në mënyrë adekuate nga institucionet e sistemit të drejtësisë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e BE-së për REL-in.
Në fjalorin e Oxfordit, pastrimi i parave definohet si proces ilegal përmes të cilit fshihet origjina e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, qoftë përmes transfereve bankare apo bizneseve jolegjitime.
Radio Evropa e Lirë kërkoi statistika për numrin e rasteve të trajtuara nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila merret me rastet kur pasuria arrin mbi 500 mijë euro, por nuk mori përgjigje.
Nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thonë se një ndër arsyet kryesore është mungesa e vetëdijesimit në mesin e prokurorëve dhe gjykatësve se rastet e pastrimit të parave mund të gjykohen pa pasur ndonjë vepër tjetër penale të kryer.
“Prokurorët dhe gjyqtarët nuk i konsiderojnë si vepra penale veprat e shpëlarjes së parave përderisa ato nuk janë të lidhura me vepra të tjera penale”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.
Drejtorja ekzekutive e Grupit për Studime Ligjore dhe Politike (GLPS), Arbresha Loxha, thotë se në tri Raportet e fundit të Progresit janë raportuar edhe disa përmirësime në sistemin e drejtësisë, si rekrutimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj dhe rritja e numrit të lëndëve të zgjidhura. Megjithatë, disa gjëra nuk kanë ndryshuar, shton ajo.
Sipas një hulumtimi të bërë nga GLPS-ja në vitin 2020, në shumicën e aktakuzave të ngritura për pastrim të parave nuk është përfshirë edhe kërkesa për konfiskim të pasurisë.
Sipas Ligjit për parandalimin e këtij fenomeni, kushdo që kryen veprën penale të pastrimit të parave mund të ndëshkohet me deri në dhjetë vjet burgim dhe me gjobë deri në tri herë më të madhe sesa vlera e pasurisë që është subjekt i veprës penale.
“Në këtë skemë pastrimi parash, mashtruesit lëviznin fondet nga juridiksione të shumta, që ata supozonin se kishin mjete të dobëta bashkëpunimi dypalësh, meqë Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara apo Interpol-it e as nuk njihet nga disa prej këtyre juridiksioneve”, thuhet në raportin e publikuar më 2021.
Grupi Egmont i Njësive të Inteligjencës Financiare është një organizatë ndërkombëtare që mundëson bashkëpunimin mes shteteve të ndryshme të botës për hetimin dhe parandalimin e rasteve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Sipas të dhënave në raportin e fundit të publikuar nga ky institucion, bankat janë institucionet që raportojnë më së shumti për raste që mund të çojnë drejt padive për pastrim parash, duke raportuar për transaksione të dyshimta.
Megjithatë, një zyrtar bankar është ankuar për REL-in se këto procedura nganjëherë janë shumë të gjata dhe përfshijnë plotësimin e shumë dokumenteve – gjë që, sipas tij, shkakton barrë të madhe mbi punëtorët në banka, të cilët duhet t’u shërbejnë edhe klientëve të tjerë.
Çfarë ndryshimesh rekomandohen?
Për një luftim më efektiv të këtij fenomeni, BE-ja rekomandon që edhe prokurorët të specializohen më tutje për trajtimin e këtyre rasteve, si dhe të jenë më aktivë në hetimin dhe identifikimin e kësaj vepre.
Hulumtimi i vitit 2020 i GLPS-së, lidhur me këtë temë, kishte gjetur se shtatë prej nëntë hetimeve të fundit për shpëlarje parash, kishin nisur vetëm pas kallëzimit penal të ngritur nga Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës i tha REL-it se, gjatë vitit 2022, ka iniciuar gjithsej nëntë raste për veprën penale “pastrim parash”, ndërsa tetë të tjera gjatë vitit 2023.
Vlera e ekonomisë joformale në Kosovë arrin deri në 30 për qind të GDP-së (bruto prodhimit vendor), pasi që një pjesë e madhe e bizneseve as nuk posedojnë pajisje fiskale. Evazioni fiskal, apo shmangia e tatimit, mund të çojë deri në tentim për pastrim të parave pasi që bizneset gjenerojnë fitime të padeklaruara ilegale.
Sipas Raportit të Progresit për vitin 2023, ATK-ja ka kryer më shumë inspektime të rasteve të dyshuara për evazion fiskal gjatë periudhës mes qershorit të vitit 2022 dhe prillit të vitit 2023 sesa periudhës së njëjtë të një viti më parë.
BE-ja ka ndarë një buxhet prej 20 milionë eurosh për ta ndihmuar Kosovën, mes tjerash, në luftën kundër pastrimit të parave. Si hap të parë, BE-ja shpreson se Kosova do ta ndryshojë Ligjin aktual për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit për ta harmonizuar atë me ligjet e BE-së.