“Ky projekt është i pari në rajon i cili përdorë në masë të madhe energjinë diellore për ngrohje të shtëpive”, tha ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Kosova ka nënshkruar dy marrëveshjeve të granteve dhe një marrëveshje të huasë me mekanizmat ndërkombëtarë për projektin “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore”, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Qeverinë e Kosovës, u bë e ditur se projekti në tërësi shkon në vlerën e mbi 80 milionë eurove ku me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) është siguruar grant në vlerë prej 31.6 milionë euro ndërsa nga Korniza e Ballkanit Perëndimor Investuese po ashtu është siguruar grant prej 21.5 milionë euro dhe pjesa tjetër është kredi me kushte të favorshme nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se nënshkrimi i marrëveshjeve është i një rëndësie të veçantë për Kosovën duke pasur parasysh nevojën për diversifikim të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, sidomos në sferën e ngrohjes qendrore si një nga konsumuesit më të mëdhenj të energjisë në vend.
Sa i përket granteve, Murati tha se Bordi Operacional i Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF) miratoi aplikimet e Kosovës tona për grante investive për dy projekte energjetike – atë të Ngrohjes Qendrore Solare dhe atë për Parkun Solar të KEK (Koorporata Energjetike e Kosovës).
“Ky projekt është i pari në rajon i cili përdorë në masë të madhe energjinë diellore për ngrohje të shtëpive dhe si i tillë e dëshmon përkushtimin e Qeverisë për të ngritur kapacitetet për prodhim të energjisë në harmoni me agjendën e gjelbër të Bashkimit Evropian (BE) dhe nën kornizën e strategjisë për energji të cilën sapo e kemi miratuar edhe në Qeveri”, theksoi Murati.
Ai tha se projekti përveç instalimit të kapacitetit të ri gjenerues parasheh edhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore duke siguruar qasje për rreth 38 mijë qytetarë që më parë nuk kanë pasur qasje në ngrohje qendrore për t’u mundësuar kursim të energjisë elektrike dhe ngrohje me çmime të përballueshme gjatë dimrit.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në fjalën e tij tha se BE-ja është krenare në ndihmën e dhënë në këtë projekt me rëndësi.
Szunyog tha se 38 mijë qytetarë të rinj të kryeqytetit do të përfitojnë nga projekti që të kenë ngrohje gjatë dimrit në një mënyrë efiçiente ndërsa projekti në fjalë do të ndihmojë edhe në uljen e emetimit të gazrave të dëmshëm në Kosovë.
“Kjo është energji e pastër e prodhuar në shtëpi dhe nevoja për energji të pastër nuk ka qenë kurrë më e madhe se sot. Energjia e ripërtëritshme nuk është e mirë vetëm për mjedisin, por ajo është edhe më e përballueshme dhe kontribuon në sigurinë e energjisë”, theksoi Szunyog i cili tha se do të vazhdojnë të mbështesin transformimin e sistemit energjetik në Kosovë.
Kosova sasinë më të madhe të energjisë elektrike, apo rreth 95 për qind, e prodhon nga thëngilli, rreth 2.7 për qind nga hidrocentralet dhe rreth 2.3 për qind nga era dhe panelet solare.
