Kosova mikpret Këshillin Botëror të Rinisë Socialiste, Kelmendi: Nga harresa në qendër të vëmendjes botërore

Kosova ka pritur për herë të parë Këshillin Botëror të International Union of Socialist Youth (IUSY), raporton Ekonomia Online.

Kryetari i RVV-së, Libron Kelmendi, tha se ky është një moment historik për të rinjtë progresistë të vendit dhe një dëshmi e zhvillimit organizativ e politik të lëvizjes.

Ai theksoi se Kosova, ndonëse e vogël në territor, po dëshmohet e madhe në vlera dhe mikpritje.

“Nga periferia e harresës, ne sot kemi ardhur në qendër të vëmendjes politike rinore ndërkombëtare. Është hera e parë që një këshill botëror i kësaj natyre dhe rëndësie mbahet në Kosovë. Këtë javë, Prishtina do të jetë kryeqyteti i rinisë progresiste. Sytë e shumë qyteteve, partive politike, organizatave ndërkombëtare do të jenë tek ne, në Prishtinë. Dhe me këtë vëmendje vjen edhe përgjegjësia që të tregojmë se Kosova, një vend i vogël në territor, është një vend i madh në ideale, në guxim, në mikpritje dhe në vlera. Për ne, kjo ngjarje përfaqëson më shumë sesa një organizim prestigjioz. Përfaqëson një udhëtim të gjatë – nga pjesëmarrës në kongrese të mbajtura gjithandej botës, në rolin e nikoqirit të një prej tubimeve më të mëdha të të rinjve progresistë. Nga të ftuar, jemi bërë organizatorë. Nga të pranishëm në sallat e qyteteve dhe kryeqyteteve të ndryshme të botës, tani jemi mikpritës të qindra delegacioneve që nga e gjithë bota mblidhen për herë të parë në Prishtinë. Kjo është dëshmi e zhvillimit tonë politik, dëshmi e zhvillimit tonë organizativ. Është pasqyrë e besimit që na është dhënë nga IUSY, besim që buron nga puna dhe përkushtimi ynë i vazhdueshëm për vlerat që i ndajmë me miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka theksuar Kelmendi.

Në konferencën për media, u shpreh edhe Sekretarja e Përgjithshme e UNC-së, Sarineh Abrahamian, e cila theksoi rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në rrjetin ndërkombëtar të rinisë socialiste.

Ne, si një organizatë ombrellë socialiste, jemi organizata rinore politike ndërkombëtare më e madhe që bashkon më shumë se 160 organizata anëtare nga të gjitha anët e botës. Kemi anëtarë nga 110 vende. Jemi shumë të lumtur që jemi këtu sot dhe shpresojmë që së shpejti të kemi edhe miqtë tanë nga Kosova, organizatën rinore nga Kosova, si pjesë e organizatës sonë rinore ndërkombëtare, UNC. Këshilli ynë është një nga organet më të larta që mbledh organizatat anëtare, ku diskutojmë dhe miratojmë rezoluta. Ne zhvillojmë diskutime politike, udhëheqësia e UNC-së raporton për aktivitetet dhe punën e saj, zhvillojmë debate dhe vendosim për strategjinë për periudhën e ardhshme”, shtoi Abrahamian.

Presidentja e IUSY-së, Amina Cikotic, theksoi mesazhin e solidaritetit dhe luftës për drejtësi sociale, duke vlerësuar rolin e Kosovës në ndërtimin e urave bashkëpunuese në Ballkan.

Sot nga Prishtina, dërgojmë një mesazh të fuqishëm solidariteti, antifashizmi, paqeje dhe të luftës sonë të përbashkët për barazi, drejtësi sociale dhe liri. Ballkani meriton udhëheqës politikë që nuk ndërtojnë barrikada, por ura. Ura bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe veprimi të përbashkët. Si socialistë dhe socialdemokratë të rinj, besojmë se një shoqëri më e drejtë nuk është vetëm një ide, por një detyrim politik. Është lufta jonë e përditshme kundër rritjes së së djathtës ekstreme, kundër varfërisë, pabarazisë dhe përjashtimit të të rinjve nga proceset politike. Këto ditë, Prishtina bëhet qendër e dialogut progresiv dhe entuziazmit politik. Kjo është një hapësirë ku krijojmë politika të përbashkëta, forcojmë solidaritetin ndërkombëtar dhe ndërtojmë një rrjet të qëndrueshëm të të rinjve të majtë që besojnë në një botë më të mirë”, theksoi Cikotic.

Kategoritë
LajmeVendi