Konsullja e Kosovës në Stamboll falënderon Turqinë për mbështetjen kundër COVID-19

“Ashtu si në të kaluarën edhe në periudhën e COVID-19 Turqia ka qëndruar pranë Kosovës sikurse edhe pranë shumë vendeve të tjera”, tha konsullja Suzan Novobërdaliu.

Konsullja e përgjithshme e Kosovës në Stamboll, Suzan Novobërdaliu falënderoi Turqinë për kontributet e dhëna për sistemin shëndetësor të Kosovës gjatë periudhës së koronavirusit të ri (COVID-19).

Në një deklaratë nga Bashkia e Madhe ​​​​​​​Kocaeli thuhet se konsullja, Suzan Novobërdaliu u prit në një takim nga kryebashkiaku i ​​​​​​​Kocaelit, Tahir Büyükakın.

Duke i shprehur Novobërdaliut falënderimet për vizitën, kryebashkiaku vuri theksin në lidhjet e forta historike që ka arritur Turqia deri më sot me Kosovën dhe Ballkanin.

“Gjatë historisë kemi qenë në solidarizim në kohë të vështira. Ashtu si në të kaluarën edhe në periudhën e COVID-19 Turqia ka qëndruar pranë Kosovës sikurse edhe pranë shumë vendeve të tjera. Ne jemi të gatshëm të bëjmë çfarë na takon për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës. Besoj se marrëdhëniet që mund të ndërtohen me pushtetin lokal të Kosovës mund të ofrojnë kontribute shumë të rëndësishme për rajonin” tha Büyükakın.

Ndërsa Novobërdaliu bëri të ditur se ndihmat e Turqisë për Kosovën nuk kanë munguar që nga periudha e luftës në vitin 1999 dhe pas saj.

Pasi ka rikujtuar se Turqia ka ndihmuar Kosovën edhe në periudhën e pandemisë, Novobërdaliu deklaroi:

“Ne e dimë shumë mirë se Turqia ka ardhur në ndihmë të Kosovës edhe në kushte të jashtëzakonshme. Ajo ka vazhduar mbështetjen e saj duke filluar nga lufta në 1999, në ristrukturimin, zhvillimin e vendit dhe tani me investime në fushën e ekonomisë. Turqia e cila ka kontribuar edhe në sistemin shëndetësor të Kosovës gjatë periudhës së pandemisë ka qenë gjithmonë pranë nesh”.

Më tej ajo tha se “Turqia kishte marrë masat para se Organizata Botërore e Shëndetësisë të shpallte pandeminë. Ashtu si gjithmonë edhe në kohën e pandemisë dërguan ndihma. Shpreh edhe njëherë falënderimet për ndihmat që Turqia i dërgoi Kosovës në kuadër të luftës kundër koronavirusit. Dëshiroj të përcjell falënderimet e popullit të Kosovës për Turqinë”.

Kategoritë
LajmeVendi