Kjo nismë është e papërshtatshme jo vetëm në bazë të besimit, por gjithashtu për paqen rajonale dhe strukturat multikulturore, thuhet në një reagim nga komunitetet alevi dhe bektashi në Trakinë Perëndimore
Komunitetet turke alevi dhe bektashi në Trakinë Perëndimore kanë reaguar ndaj përpjekjeve në Shqipëri për të krijuar një strukturë shtetërore mbi bazën e besimit bektashian, transmeton Anadolu.
Kryetari i Shoqatës së Arsimit dhe Kulturës së Pakicës “Seçek”, Necmettin Kahya, në një takim të mbajtur në Komotini, lexoi një deklaratë ku theksoi se ky formim është në kundërshtim me parimet e besimit dhe i papranueshëm.
Në deklaratë iu bë referim deklaratave të muajve të fundit të kryeministrit shqiptar Edi Rama për “krijimin e një shteti bektashi në Tiranë nën udhëheqjen e Baba Mondit (Edmond Brahimaj)”. U theksua se kjo nismë është e papërshtatshme jo vetëm në bazë të besimit, por gjithashtu për paqen rajonale dhe strukturat multikulturore.
Duke nënvizuar se në traditën bektashiane nuk ka vend për struktura politike, në deklaratë u tha se vetëshpallja e Baba Mondit si “udhëheqës botëror i bektashinjve” është në kundërshtim me ritet dhe praktikën historike.
“Pas ndarjes nga jeta të Haxhi Dede Reshat Bardhit, në Shqipëri nuk është zbatuar as ceremonia e dekretimit të ‘halifebabasë’. Në këtë rast, edhe ‘dedebaballëku’ është i pavlefshëm”, thuhet në reagim.
Po ashtu, u rikujtua se qendra e bektashizmit ndodhet brenda kufijve të Turqisë, në Teqenë e Haxhi Bektash Veliut, dhe se “struktura hierarkike e ndërtuar prej shekujsh vazhdon pa ndërprerje edhe sot”. Për këtë arsye, pretendimi i Baba Mondit për udhëheqje dhe shtetformim është i papranueshëm, u tha në deklaratë.
Po ashtu u theksua se komunitetet alevi-bektashi në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Greqi dhe Turqi, si dhe në Ballkan në përgjithësi, kanë mes tyre vetëm një lidhje shpirtërore e zemre.