Komisioni Evropian fiku klimatizimin, por jo në katin ku ndodhet Von der Leyen; punonjësit ankohen: “Ky është feudalizëm”

European Commission president Ursula von der Leyen addresses European Parliament members on new plans to ramp up defense spending agreed at last week's summit, Tuesday, March 11, 2025 at the European Parliament in Strasbourg, eastern France. (AP Photo/Pascal Bastien)

Selia e Komisionit Evropian u detyrua të premten të fikë sistemin e klimatizimit për shkak të valës së të nxehtit, gjë që shkaktoi kritika serioze nga punonjësit, pasi klimatizimi nuk u fik në katet ku qëndrojnë zyrtarët e lartë.

Punonjësit që punojnë në ndërtesën Berlaymont morën në mesditë një mesazh me tekst me këtë përmbajtje: “Berl – urgjente – Për shkak të kushteve ekstreme të motit, sistemi i ftohjes do të fiket detyrimisht nga kati i parë deri në katin e shtatë deri në fund të ditës”.

Në ndërtesën 13-katëshe ndodhen zyrat e presidentes Ursula von der Leyen, 26 komisionerëve evropianë dhe rreth 3.000 punonjësve. Von der Leyen punon në katin e 13-të, ndërsa zyrat e shumicës së komisionerëve ndodhen në katin e tetë ose më lart. Belgjika dhe një pjesë e madhe e Evropës prej një jave po përballen me temperatura jashtëzakonisht të larta, me thyerje rekordesh të temperaturave.

Komisioni Evropian më herët gjatë kësaj jave lëshoi udhëzime për punonjësit e tij, të cilat përfshijnë shmangien e qëndrimit jashtë në pjesën më të nxehtë të ditës, pirjen e rregullt të ujit dhe nisjen më herët të orarit të punës.

Megjithatë, këto rekomandime shkaktuan pakënaqësi te një pjesë e punonjësve të Komisionit që punojnë në ndërtesa pa klimatizim, përfshirë edhe Drejtorinë e Përgjithshme për Bujqësi (DG AGRI), siç tregojnë komunikimet e brendshme në të cilat ka pasur qasje Politico Brussels Playbook.

“Është si feudalizëm”, tha për Politico një zyrtar i Komisionit Evropian që punon në katet e ulëta të ndërtesës Berlaymont dhe që dëshiroi të mbetet anonim për të folur lirshëm, duke aluduar në faktin se katet e sipërme, ku punojnë komisionerët, e mbajtën klimatizimin të ndezur. Një zyrtar tjetër u pajtua se bëhet fjalë për një “turp”.

Një punonjës i tretë, i cili punon në katin e tetë, tha të premten për Politico se temperatura në zyra, pavarësisht klimatizimit funksional, vazhdonte të ishte 25.7 gradë Celsius.

Vala e të nxehtit ka rihapur debatin për mungesën e sistemeve të klimatizimit në shtëpi dhe zyra në të gjithë Evropën. Vetëm rreth një e pesta e familjeve në kontinentin evropian kanë pajisje klimatizimi. Në Belgjikë, një e pesta e të gjithë trenave nuk kanë klimatizim, për çka kompania kombëtare hekurudhore u detyrua të anulonte një numër të madh nisjesh gjatë orëve më të ngarkuara.

Edhe Parlamenti Evropian këtë javë u përball me ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të rritjes së konsumit, të shkaktuar nga përdorimi i shtuar i sistemeve të ftohjes.

Kategoritë
BotaLajme