Koalicioni i Flotiljes së Lirisë nis një valë të re anijesh nga Italia për të thyer bllokadën e Gazës

Dhjetë anije u nisën nga porti San Giovanni Li Cuti, duke transportuar rreth 70 aktivistë nga më shumë se 20 vende.

Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Rrethimit të Gazës nisi një valë të re anijesh të shtunën në një përpjekje për të sfiduar bllokadën e Izraelit ndaj enklavës palestineze, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, komiteti tha se dhjetë anije civile u nisën nga porti San Giovanni Li Cuti në qytetin sicilian të Katanias, duke transportuar rreth 70 aktivistë nga më shumë se 20 vende, në bashkëpunim me Koalicionin e Flotiljes së Lirisë.

Në mesin e pjesëmarrësve janë nëntë parlamentarë të zgjedhur nga Evropa dhe SHBA-ja.

“Ky hap vjen ndërsa lufta e Izraelit në Gaza po përmbush vitin e dytë, të shënuar nga bombardime të vazhdueshme, taktika të urisë, vrasje të qëllimshme të fëmijëve dhe civilëve, si dhe sulme të përsëritura ndaj gazetarëve, ekipeve mjekësore, spitaleve dhe zhvendosja masive e familjeve”, tha komiteti.

Ai akuzoi fuqitë botërore se “heshtin ndërsa vazhdojnë ta armatosin Izraelin dhe ta mbrojnë atë nga përgjegjësia”.

Sipas organizatorëve, kjo flotilje vazhdon një seri të gjatë misionesh detare, duke përfshirë Madleen, Handala dhe dhjetëra anije të tjera të nisura nga Koalicioni i Flotiljes së Lirisë gjatë 15 viteve të fundit, si dhe anije nga Flotilja Globale Sumud, shumë prej të cilave u kapën ose u sulmuan nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtarë.

“Fushata globale nuk do të ndalet derisa të arrijë qëllimet e saj fisnike humanitare”, ka thënë kryetari i komitetit, Zaher Birawi.

Ai ka theksuar se anijet do të vazhdojnë të lundrojnë drejt Gazës “pavarësisht sfidave dhe pavarësisht kërcënimeve histerike izraelite kundër aktivistëve dhe mbështetësve të lirisë në gjithë botën”.

Izraeli, si fuqi pushtuese, ka një rekord të kapjes së anijeve që drejtoheshin për në Gaza, sekuestrimit të anijeve dhe deportimit të aktivistëve. Kritikët i përshkruajnë veprimet e tilla si pirateri.

Hetuesit e OKB-së arritën së fundmi në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, ku gati 66.000 njerëz janë vrarë që nga tetori i vitit 2023.

Kategoritë
BotaLajme