KMDLNj reagon ndaj vendimit të Speciales për mos lirim me kusht të ish-krerëve të UÇK-së

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut, thotë se argumentet e gjykatësit të Gjykatës Speciale, Nikolas Giju për mos lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së, nuk qëndrojnë, pasi siç thotë KMDLNj, që të gjithë të arrestuarit kanë patur mundësi të ikin, por janë vet-dorëzuar.

Tutje reagimi i plotë i KMDLNj:

Gjykatësi i procedurës paraprake të Gjykatës Speciale, Nikolas Giju, sipas parimit “ hypë se të vrava, zhdrypë se të vrara “ po i refuzon të gjitha kërkesat e avokatëve të të akuzuarve, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, Salih Mustafa, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selim dhe Kadri Veseli për t’u mbrojtur në liri. Nuk ka argument që e ofrojnë avokatët mbrojtës e që nuk refuzohet nga ky gjykatës e që lehtësisht mund të dyshohet për pjesëmarrje në rrjedhje të dosjeve të ndjeshme e që kanë përfunsuar para zyrave të OVL-së së UÇK- së pas së cilës u arrestuan Hysni Gucati dhe Nasim Haradinja me arsyetimin se duke e zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, seriozisht po e rrezikojnë jetën e këtyre dëshmitarëve dhe familjeve të tyre. Po të kishin bërë hetime brenda Gjykatës Speciale për rrjedhje të dosjeve të ndjeshme dhe po të ishin ndërmarrë veprime ligjore ndaj atyre që i kanë dërguar këto dosje në Zyrat e OVL-së së UÇK-s , atëherë edhe do të arsyetohej arrestimi i krerëve të oVL-së së UÇK-së. Mirëpo, pasi nuk ishte bërë asnjë hetim dhe askush nga stafi i Gjykatës Speciale në Hagë nuk është marrë në përgjegjësi, arrsetimin e Hysni Gucatit dhe nasim Haradinja, KMDLNj e konsideron vetëm si pretekst për arrestimin e krerëve institucionalë dhe të UÇK-së. Me një fjalë, dosjet e kontrabanduara nga Gjykata Speciale, qoftë që janë shitur me një çmim të majmë, që janë dhënë për qëllime politike apo të tjera kanë shërbyer si përshpejtues për arrsetimin politik, pasi ka prodhuar efekte dhe pasoja të drejtpërdrejta politike, të Hysni Gucatit, Nasim Haradinajt, Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe  Kadri Veselit.

Rrjedhja e dosjeve top sekrete nga Gjykata Speciale është punë e një grupi të organizuar kriminal e që deri më tani nuk është zbuluar për faktin se as që janë bërë përpjekje të zbulohet. Motivi pse e kanë bërë këtë nuk dihet deri sa nuk zbulohet ky grup kriminal brenda Gjykatës Speciale. Të dyshuar për këtë veprimtari kriminale që skajshmërisht e rrezikon jetën e dëshmitarëve të kësaj Gjykata janë të gjitë të punësuarit në këtë Gjykatë, nga kryeprokurori Jack Smith e deri te gjykatësi i procedures paraprake, Nikolas Giju. Për këtë arsye është dashur të bëhen hetimet në mënyrë që të zbulohet adresa e përgjegjësisë. Nasim Haradinja dhe Hysni Gucati janë viktima të manipulimit nga vet Gjykata Speciale që i ka lëshuar në qarkullim dosjet e ndjeshme.

Nikolas Giju si dhe Jack Smith, në kërkesën për caktim të paraburgimit si dhe në vendimin për refuzim të lirimit për të paraburgosurit, përveç se e përmendin rrezikën se mund të ikin dhe të mos i përgjigjen drejtësisë e që keq-përdoret thuaja në shumicen e vendeve të botës aq më parë që të gjithë të arrestuarit kanë patur mundësi të ikin por se nuk e kanë bërë këtë por janë dorëzuar vet, argumentin kryesor e kanë rrezikimin e jetës së dëshmitarëve të mbrojtur dhe të  dëshmitarë vullnetarë të Gjykatës Speciale. Pikërisht Gjykata Speciale, me livrimin e dosjeve të ndjeshme të kësaj gjykate e që motivi nuk është i njohur përveç se mund të paraqgjykohet, në mënyrën më të vrazhdë dhe të drejtpërdrejtë e ka rrezikuar jetën e dëshmitarëve të mbrojtur. Në anën tjetër, po kjo Prokurori dhe Gjykatë, në çdo kërkesë dhe arsyetim të vendimit, përmend emra dhe mbiemra të personave që kanë dhënë intervista apo prononcime  që këta e vlerësojnë se mund të përdoren si dëshmi dhe, në këtë mënyrë ua rrezikojnë jetën drejtpërdrejtë. Rasti më flagrant është i ish – këshilltarit të Albin Kurtit prononcimet e të cilit Prokuroria dhe Gjykata Speciale  i përdorin si argumente kyçe për të mbajtur në burg ish – krerët e   UÇK-së duke ia rrezikuar jetën sikur edhe duke e rrezikuar jetën e familjes së tij. Ky manipulim i prokuroisë dhe Nikolas Giju profesionalisht është i dëmshëm kurse moralisht i ulët sepse, në njërën anë kinse përpiqet të mbrojë identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur kurse, në anën tjetër , duke e përsëritur , me emër dhe mbiemër secilin që i shkon në favor , në fakt i shndërron në shënjestra  që rrezikohen 24 orë dhe të cilët nuk janë fare të mbrojtura. As Prokuroria e as Gjykata Speciale nuk kanë të drejtë të keqpërdorin deklaratat dhe prononcimet e personaliteteve publike siç po e bëjnë tani, duke ua rrezikuar jetën drejtpërdrejtë sepse po i cilësojnë si persona që po i mbajnë në burg ish krerët e UÇK-së e që nuk është fare e vërtetë.

Dhe, si argument i fundit e të cilin KMDLNj e konsideron si paragjykim të tmerrshëm dhe në kundërshtim me parimin e prezumimit të pafajësisë, është fakti se, edhe prokurori Jack Smith, në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit sikur edhe gjykatësi i procedurës paraprake , Nikolas Gijotina në arsyetimin për refuzimin e  lirimit, deri në gjykim, deklarojnë se mund të dënohen me burgim të përjetshëm ndonëse gjykimi as që ka filluar. Nëse prokurori edhe mund të kërkoi këtë dënim, Gjykatësi i procedures paraprake, Nikolas Gijotina, nuk mund t’i nënshtrohet paragjykimit, pa përfunduar ende gjykimi. Se siç po shkojnë punët kur e ashtuquajtura Gjykata Kushtetuese e Gjykatës Speciale  dhe një Institucion, për fat të keq i quajtuar Ombudsperson, nuk po reagojnë fare dhe nuk po bëjnë asnjë veprim për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut, qoftë ato të personave të privuar nga liria, kërcënimet e kryeprokurorit Jack Smith dhe gjykatësit të procedures paraprake, Nikolas Gijotina, nuk mund edhe të merren si paragjykime por seriozisht duhet të konsiderohen si qëllim i tyre, pavarësisht mjeteve për realizim të atyre qëllimeve! e që janë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut !

Kategoritë
LajmeVendi