KMDLNj: Qeveria të ndërmarrë masa në përputhje me gjendjen e krijuar

Kohëve të fundit, thuaja në tërë botën kemi një rritje të ndjeshme të të infektuarve me COVID-19. Në këtë kontekst as Kosova nuk bënë përjashtim.

Fillimisht lakorja e të infektuarve nuk ishte shumë e lartë madje për një kohë ishte e ulët krahasuar me vendet e rajonit. Mirëpo sidomos javën e fundit kishim një rritje të madhe të rasteve e që për KMDLNj ën paraqet shqetësim të madh, si i të infektuarve ashtu edhe i viktimave.

Fillimisht KMDLNj pati kërkuar që në rrethana të caktuara dhe në përputhje me rekomandimet e IKSHPK të zbuten e në disa raste edhe të hiqen krejtësisht masat kufizuese, si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.

KMDLNj pat përkrahur masat e qeverisë Kurti për kufizim të lirisë së lëvizjes ndonëse ishte e sigurt se nuk janë kushtetuese mirëpo midis të drejtës për jetë dhe lirisë së lëvizjes përparësi absolute ka e drejta për jetë dhe, mbështetur në këtë parim do ta përkrahë çdo vendim të qeverisë Hoti që merret me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së qytetarëve.

Madje KMDLNj thërret kryeministrin Hoti dhe ministrin Zemaj që në përputhje me mandatin që e kanë dhe në bashkëpunim me të gjithë faktorët përgjegjës dhe kompetent të përshpejtojnë marrjen e vendimeve të menjëhershme në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve për aq kohë sa të kemi rritje të rasteve.

KMDLNj fton partitë opozitare që të bashkëpunojnë me qeverinë në përpjekje për frenim të pandemisë dhe luftën politike ta lënë për një kohë kur do t’i kthehemi normalitetit apo kur numri i të infektuarve do të jetë i menaxhueshëm. Në gjendjen në të cilën jemi në luftë kundër pandemisë nuk mund të jetë vetëm një adresë e përgjegjësisë për përgjegjësi do të kenë të gjithë si pozita, opozita dhe qytetarët që nuk po iu përmbahen rekomandimeve të institucioneve kompetente.

Është shqetësues fakti se Prishtina thuaja në të gjitha rastet përbën 50% të të infektuarve në nivel vendi prandaj është shndërruar në vatër të infektimit dhe shpërndarjes së infektimit andaj duhet të ndërmerren masa të menjëhershme.

KMDLNj pret që qeveria e Kosovës të veprojë shpejtë në ndërmarrjen e disa masave parandaluese në mënyrë që t’i shmangemi mbylljes totale.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – Shërbimi për Informim

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet