Kizolli i drejtohet ministrit Likaj: Të arriturat e kolosit shqiptar Hasan Islami të përfshihen në programin mësimor

Beni Kizolli, Drejtor i Urbanizmit dhe planifikimit hapsinor në Prizren dhe Ligjerues në UBT, është drejtuar me një letër të hapur ministrit të arsimit Ramë Likaj, nga i cili kërkon që arritjet e kolosit shqiptar Hasan Islamit (Masurica), të jetë pjesë e programeve mësimore

Ai përmes letrës i ka bërë thirrje ministrit Ramë Likaj, që të bëjë gjithçka me kompetencat që ka  që arritjet e tij të përfshihen në kurrikullat mësimore në çdo vit akademik.

“Duke u nisur nga  fakti se jam ligjerues universitar dhe ish profesor që ka shërbyer 5 vite në shkollën e mesme teknike në Prizren ‘Gani Çavdarbasha’, pas vlerësimit të terrenit dhe nga puna ime dikur me nxënës dhe tani me studentë e shoh të nevojshme që arritja shkencore e këtij kolosi shqiptar të jetë pjesë e programeve mësimore. Andaj i bëj thirrje Ministrit Ramë Likaj, profesorit tim të nderuar që të bëjë çkado që ka në kompetencën e tij që gjatë recenzimit të librave para çdo viti akademik me qëllim të përtëritjes së tyre, këto arritje shkencore të prezantojnë brenda kurrikulave të arsimit të mesëm, pse jo edhe të lartë. Shpresojmë se kërkesa jonë modeste do të merret parasysh nga ministri në fjalë”, thuhet në Letrën e Hapur.

Letra e plotë:

Letër e hapur nga drejtori i Urbanizmit të Prizrenit, drejtuar ministrit të arsimit

Te popujt e vegjël, ndikimi i individëve është i madhë. Kjo për arsyen se ndërtimi i tyre moral, akademik dhe shkencor është skica e ndërtimit të ndërgjegjjes kolektive politike, ekonomike dhe shkencore të një shteti.

I tillë ishte Hasan Islami (Masurica). Me përgatitjen e tij prej shkencëtari, dijetari dhe me ngjizjen e karakterit të tij moral e fetar i dha zë kombit shqiptarë, që në vigjilje të lindjes së tij. Hasan Islami, i njohur në popull si Hasan Masurica, u lind më 22 janar të vitit 1869, në fshatin Krilevë, sot komuna e Kamenicës.

Ai merrej me hulumtime shkencore dhe inovacione: bëri konstruktimin dhe ndërtoi tricikletën, orën precize të murit, mullirin që punoi me erë dhe me ujë në fshatin Zarbicë të Bujanocit, mullirin për bluarjen e kafës, peshojën precize etj. Në vitin 1899, ndërtoi aeroplanin, i cili u ngjit 50 deri 70 metra lart mbi fshatin Zarbicë në drejtim të Vranjës dhe kaloi afro katër kilometra. Hasan Masurica ndërtoi pushkën me një, pesë dhe njëzetëepesë fishekë, të cilat i demonstroi para Sulltan Abdul Hamidit në Stamboll. Nga viti 1914 gjer në vitin 1925, Hasan Masurica bëri kalendarin, në të cilin përcaktoi pozitën dhe rrugën e planeteve në Gjithësi nga viti 52 gjer në fund të vitit 1952 të erës sonë, e të tjera.

Këto të arritura shkecore të Hasan Masuricës janë vlera partikularisht të lindura te ne por universalisht të nevojshme për gjithë njerëzimin. Është nevojë e domosdoshme që të kanalizohen dhe të futen në planprogramet shkollore në drejtime që mësohen në Shkollat e mesme teknike në Kosovë. Ato përveç se bartin njohuritë e përgjithshme për shkencën bashkëkohore, gjihashtu janë një mesazh për nxënësin shqiptar, se shkenca dhe dija nuk kanë adresë, ato janë dhunti të lindura. Detyrë e arsimit shqiptarë është të kultivojë sa më tepër ndienjën kombëtare. Në këtë linjë vendosja e emrit të Hasan Masuricës përkrah emrit të Naim Frashërit, Sami Frashërit, Pashko Vasës e Hafiz Ali Korçës do të ishte një hap i mirë në këtë drejtim.

Duke u nisur nga  fakti se jam ligjerues universitar dhe ish profesor që ka shërbyer 5 vite në shkollën e mesme teknike në Prizren ‘Gani Çavdarbasha’, pas vlerësimit të terrenit dhe nga puna ime dikur me nxënës dhe tani me studentë e shoh të nevojshme që arritja shkencore e këtij kolosi shqiptar të jetë pjesë e programeve mësimore. Andaj i bëj thirrje Ministrit Ramë Likaj, profesorit tim të nderuar që të bëjë çkado që ka në kompetencën e tij që gjatë recenzimit të librave para çdo viti akademik me qëllim të përtëritjes së tyre, këto arritje shkencore të prezantojnë brenda kurrikulave të arsimit të mesëm, pse jo edhe të lartë. Shpresojmë se kërkesa jonë modeste do të merret parasysh nga ministri në fjalë.

Dr. Beni Kizolli, Drejtor i Urbanizmit dhe planifikimit hapsinor në Prizren dhe Ligjerues në UBT

Kategoritë
LajmeVendi