Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të NATO-s shprehën sot solidaritet me Republikën Çeke pas zbulimit të një sulmi të sofistikuar kibernetik, për të cilin Praga fajëson Kinën.
Sipas deklaratës zyrtare, Ministria e Jashtme e Çekisë ka konfirmuar se është vënë në shënjestër nga grupi i njohur si APT31 (Advanced Persistent Threat 31) – një njësi hakerësh e lidhur drejtpërdrejt me Ministrinë e Sigurisë Shtetërore të Kinës.
Sulmi ndodhi në vitin 2022, por zbulimet dolën në dritë pas një hetimi të detajuar nga inteligjenca çeke.
BE: “Kina të ndalojë sjelljen keqdashëse”
Në një deklaratë të përbashkët të 27 shteteve anëtare të BE-së, theksohet se:
“Gjatë viteve të fundit është rritur ndjeshëm numri i aktiviteteve keqdashëse kibernetike të lidhura me këtë vend (Kinën), të drejtuara kundër BE-së dhe vendeve anëtare.”
Bashkimi Evropian dënoi fuqishëm këto veprime dhe i bëri thirrje Kinës që të ndalojë menjëherë sjelljen keqdashëse në hapësirën kibernetike.
“BE riafirmon përkushtimin e saj të fortë për të parandaluar, penguar dhe reaguar ndaj sjelljeve keqdashëse në hapësirën kibernetike dhe është e gatshme të ndërmarrë hapa të mëtejshëm kur të jetë e nevojshme,” përfundon deklarata.
NATO: “Të vendosur për t’u përballur me të gjitha kërcënimet kibernetike”
Edhe NATO, me 32 vende anëtare, reagoi fuqishëm ndaj incidentit, duke thënë se sulmet e tilla përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe demokracinë:
“Dënojmë fuqishëm aktivitetet keqdashëse kibernetike që synojnë të minojnë sigurinë kombëtare, institucionet demokratike dhe infrastrukturën kritike.”
Aleanca paralajmëroi se sulmi ndaj Çekisë është një shembull i qartë se hapësira kibernetike është fushëbetejë e përhershme, ku aktivitetet armiqësore nga Kina janë në rritje.
“Jemi të vendosur që t’i kundërvihemi të gjithë spektrit të kërcënimeve kibernetike dhe do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje reciproke,” thuhet në deklaratën e NATO-s.
Ky incident thellon tensionet ndërkombëtare në fushën e sigurisë kibernetike, veçanërisht në një kohë kur Perëndimi është gjithnjë e më i shqetësuar për ndikimin kinez në infrastrukturat shtetërore dhe të dhënat sensitive të vendeve evropiane.