Dhjetëra vende i janë bashkuar Kinës për themelimin e një organizate globale për ndërmjetësim në Hong Kong, një hap që ka për synim ta ngrejë këtë trup në rangun e organizatave të mëdha si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ).
Sipas Associated Press, të premten Kina ka firmosur një konventë për krijimin e organizatës së re që ka për qëllim zgjidhje të konflikteve, ndërsa më shumë se 30 shtete, shumica prej tyre vende në zhvillim e kanë mbështetur atë.
Bëhet e ditur se Konventa për Krijimin e Organizatës Ndërkombëtare për Ndërmjetësim (IOMed), është nënshkruar nga Pakistani, Indonezia, Bjellorusia dhe Kuba, duke u bërë kështu anëtarë themelues të kësaj organizate, e poashtu pjesë janë bërë edhe Laosi, Kamboxhia, Serbia, Papua Guinea e Re dhe Venezuela.
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka thënë se : “Lindja e IOMed do të ndihmojë në tejkalimin e mentalitetit zero-sum ‘fito ose humb’, do të promovojë zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe ndërtimin e marrëdhënieve më harmonike mes shteteve”.
Ndërsa, krijimi i kësaj organizate vjen në një moment kur roli i SHBA-së në skenën globale është vënë në dyshim, ndërsa Kina po kërkon të mbushë “boshllëkun e lënë nga Uashingtoni”. E duket se kjo mbështetje masive nga vendet e Jugut, është një tregues i qartë i ndikimit në rritje të Pekinit në këtë pjesë të botës.
Kujtojmë se për vite me radhë, Kina ka thelluar angazhimin në punët ndërkombëtare dhe ka rritur rolin e saj në organizata globale si Kombet e Bashkuara dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Në anën tjetër, presidenti amerikan Donald Trump, që nga fillimi i mandatit të tij në janar, ka urdhëruar tërheqjen e SHBA-së nga trupa ndërkombëtare si Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së dhe gjithashtu ka nxjerrë dekretin për largimin nga OBSH-ja.