“Projekti në fjalë dhe përpjekjet e tjera të SHBA-së për të vendosur armë në hapësirë mbartin rrezikun e fillimit të një gare armatosjeje në hapësirë”, tha Zhang
Kina ka paralajmëruar se projekti i sistemit global të mbrojtjes nga raketat të emërtuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si “Kupola e Artë”, do të nisë një garë armatosjeje në hapësirë, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës, Zhang Xiaogang tha në një konferencë për media në Pekin se iniciativa të tilla janë kundër parimeve të Traktatit të Hapësirës së Jashtme.
“Projekti në fjalë dhe përpjekjet e tjera të SHBA-së për të vendosur armë në hapësirë mbartin rrezikun e fillimit të një gare armatosjeje në hapësirë”, tha Zhang.
“Veprimet e SHBA-së do ta hapin përsëri kutinë e Pandorës. Kjo dëshmon se asnjë vend nuk mund të ‘jetë më i aftë’ se SHBA-ja në aspektin e militarizimit të hapësirës dhe shndërrimit të saj në një fushë beteje”, theksoi ai.
Zhang i bëri thirrje administratës së Washingtonit të ndalojë zgjerimin e vendosjes së saj ushtarake në hapësirë dhe të ndërmarrë veprime konkrete për të ruajtur stabilitetin strategjik global.
– Plani i Trumpit për “Kupolën e Artë”
Presidenti amerikan Trump më 20 maj njoftoi zyrtarisht sistemin mbrojtës “Kupola e Artë”, për të cilin ka folur prej kohësh.
Ai tha se projekti do të jetë një sistem i teknologjisë së fundit që do të vendosë teknologji të gjeneratës së re, duke përfshirë sensorë dhe interceptorë hapësinorë, në tokë, në det dhe në hapësirë.
Trump theksoi se në fazën e parë ata do të ndajnë një buxhet prej 25 miliardë dollarësh për projektin dhe do të bëjnë shpenzime të tjera të planifikuara në vitet fiskale në vijim.