Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi i tha diplomates më të lartë të Bashkimit Evropian se Pekini nuk dëshiron të shohë një humbje të Rusisë në Ukrainë, për shkak të frikës se SHBA-ja do të përqendrojë të gjithë vëmendjen ndaj Kinës, sipas disa personave të njohur me bisedën.
Ky koment drejtuar Kaja Kallasit të BE-së do të konfirmonte atë që shumë në Bruksel e mendojnë se është qëndrimi i Pekinit, por bie ndesh me deklaratat publike të Kinës. Ministria kineze e Jashtme rregullisht thotë se Kina “nuk është palë” në këtë luftë. Disa zyrtarë të BE-së që morën pjesë u habitën nga sinqeriteti i deklaratave të Wangut.
Megjithatë, thuhet se Wang hodhi poshtë akuzat se Kina po mbështet materialisht përpjekjet ushtarake ruse, financiarisht ose ushtarakisht, duke theksuar se nëse do të kishte bërë një gjë të tillë, konflikti do të kishte përfunduar shumë kohë më parë.
Gjatë një debati maratonë katër-orësh mbi një gamë të gjerë çështjesh gjeopolitike dhe tregtare, Wang i mbajti Kallasit—ish-kryeministres estoneze që mori këtë detyrë në fund të vitit të kaluar, duke u bërë de facto kreu i politikës së jashtme të bllokut—disa “mësime historie dhe leksione”.
Disa zyrtarë të BE-së menduan se ai i dha asaj një leksion të realpolitikës, pjesërisht me qëllim t’i tregonte Pekinit se Uashingtoni së shpejti do t’i kushtojë vëmendje plotësisht Lindjes, thanë dy zyrtarë.
Diplomatët e BE-së u habitën nga drejtpërdrejtësia e Wangut, veçanërisht pak javë para samitit të planifikuar në Kinë më 24 e 25 korrik.
Po atë ditë, Wang u takua edhe me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, dhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Sipas burimeve të BE-së, të tre liderët europianë ndanë një qëndrim të unifikuar në të gjitha pikat kryesore.
Pika kryesore e mosmarrëveshjes mbetet paketa e 18-të e sanksioneve të BE-së kundër Moskës, që përfshin planet për të inskruar në listë të zezë dy banka të vogla kineze për shkelje të sanksioneve ekzistuese ndaj Rusisë. Thuhet se Wang premtoi disa herë se Kina do të hakmerret nëse 27 vendet anëtare do të miratonin ato sanksione.
Raporti zyrtar i Pekinit për takimin me Kallasin uli ndjeshëm tensionet. Sipas Ministrisë kineze të Jashtme, “nuk ekziston një konflikt themelor interesi midis Kinës dhe BE-së dhe ato kanë interesa të gjera të përbashkëta”. U theksua respekti i ndërsjellë, mësimi i ndërsjellë dhe bashkëpunimi, pa përmendur temat e diskutueshme që u ngritën gjatë takimit.