“Ne i bëjmë thirrje Izraelit që të ndalojë menjëherë të gjitha operacionet ushtarake në Gaza”, tha Përfaqësuesi i Përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara (OKB), Fu Cong
Përfaqësuesi i Përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara (OKB), Fu Cong, deklaroi se paqja e përhershme në Gaza nuk mund të sigurohet me rrugë ushtarake, transmeton Anadolu.
Në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Fu iu referua konflikteve intensive në rajon dhe tha se vuajtjet e popullit palestinez po rriten.
Duke deklaruar se Lindja e Mesme është në trazira serioze, Fu tha: “Ne i bëjmë thirrje Izraelit që të ndalojë menjëherë të gjitha operacionet ushtarake në Gaza”.
Fu kërkoi që të zbatohet një armëpushim i menjëhershëm dhe i përhershëm në rajon dhe deklaroi se paqja e përhershme në Gaza nuk mund të arrihet me rrugë ushtarake.
Duke vënë në dukje se katastrofa humanitare në Gaza është në një nivel kritik, Fu u shpreh: “Vendet me ndikim të rëndësishëm mbi palët duhet të ndërmarrin hapa efektivë për një armëpushim”.
Përfaqësuesi i Përhershëm i Kinës në OKB, iu drejtua Izraelit të cilin e përshkroi si një “fuqi pushtuese” dhe bëri thirrje për heqjen e menjëhershme të bllokadës në Gaza dhe sigurimin e qasjes së plotë humanitare.
Duke vënë në dukje se Izraeli “mbyll një sy ndaj dhunës së kolonëve” në Bregun Perëndimor, Fu tha se këto “shkatërrojnë themelet e një shteti të pavarur palestinez”.
Ai theksoi se çështja palestineze është “në qendër të Lindjes së Mesme” dhe zgjidhjen me dy shtete e cilësoi si “rrugën e vetme që mund të zbatohet për zgjidhje”.
Fu tha gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar duhet të ofrojë mbështetje dhe garanci të përbashkët për avancimin e procesit politik të një zgjidhjeje me dy shtete.