Zvicra konsiderohet si parajsë e të drejtave të njeriut. Nëse një individ apo grup qytetarësh mbledhin 100.000 nënshkrime brenda 18 muajve për një çështje, atëherë referendumi duhet të mbahet.
Përveç kësaj, një ligj i miratuar më herët mund të kontestohet nëpërmjet referendumit, nëse mblidhen 50.000 nënshkrime brenda 100 ditëve. Referendum mbahet edhe kur parlamenti dhe qeveria duan të ndryshojnë kushtetutën. Nga viti 1848 e deri më sot, në Zvicër janë mbajtur 650 referendume, disa prej të cilëve, nga perspektiva e sotme, duken të çuditshme.
Ligji i ri për martesën
Referendumi për ligjin e ri të martesës u mbajt në vitin 1985. Deri në atë kohë, burri merrte të gjitha vendimet në familje. Ndër të tjera, ai mund të ndërpriste kontratën e qirasë së shtëpisë ose ta shiste atë pa pyetur bashkëshorten. Madje, ai administronte edhe pasurinë që gruaja kishte sjellë në martesë dhe mund t’i ndalonte asaj të punonte. Kjo ndryshoi pas referendumit të përmendur. Po të kishin votuar vetëm burrat, ligji konservator do të kishte mbetur në fuqi.
12 të dielat në vit pa automjete, anije dhe avionë
Edhe sot duken befasuese fotografitë e autostradave të zbrazëta në Zvicër nga viti 1973. Atëherë, për shkak të krizës së naftës, u vendos ndalimi i përdorimit të automjeteve për tre të dielat për të kursyer karburant. Një grup studentësh deshën ta bënin këtë pjesë të realitetit të ri zviceran. Propozimi ishte që çdo të diel të dytë të ndalohej trafiku i automjeteve, anijeve dhe avionëve. Referendumi për këtë propozim u mbajt në vitin 1978, dhe shumica e qytetarëve votuan kundër.
Ndalimi i absintit
Një burrë në vitin 1905 në kantonin Vaud, nën ndikimin e absintit, vrau bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, gjë që çoi në peticione për ndalimin e këtij pijë alkoolike në disa kantone.
Pas këtyre nismave qëndronin organizatat kundër alkoolit. Prodhuesit e verës dhe birrës ishin të pakënaqur sepse absinti ishte më i lirë se produktet e tyre. Socialdemokratët dhe katolikët konservatorë mbështetën ndalimin. Debati më i madh për absintin ndodhi në Zvicrën frankofone. Ndalimi u miratua me referendum në vitin 1908 dhe u hoq në vitin 2005.
Rritja e shumës maksimale të lojës në kazino
Kazino-t në Zvicër ishin të ndaluara që nga viti 1874, por kjo ndryshoi në vitet 1920, kur u vendos që shuma maksimale për lojë në kazino të ishte dy franga për rund. Megjithatë, në referendumin e vitit 1958 u vendos që kjo shumë të rritej në pesë franga, gjë që u kundërshtua nga partitë e vogla centriste dhe qarqet kishtare.
“Lopa me brirë”
Fermeri malor Armin Capaul kërceu me muzikën e Jimi Hendrix para gazetarëve nga e gjithë bota në stallën e tij, gjë që mori vëmendje të madhe.
Ky veprim ishte pjesë e nismës së organizatës së tij “IG Hornkuh” për të ndryshuar kushtetutën, në mënyrë që pronarët e lopëve dhe dhive të përfitonin mbështetje financiare nëse nuk ua prisnin brirët kafshëve të tyre. Me këtë nismë, ai synonte të theksonte sa e dhimbshme ishte heqja e brirëve për kafshët dhe sa të rëndësishëm ishin brirët për lopët. Capaul i konsideronte lopët me brirë si “pasuri kulturore me vlerë”.
Kundërshtarët e kësaj nisme thoshin se heqja e brirëve kishte përfitime për mirëqenien e kafshëve. Nisma e Capaul nuk mori mbështetje në referendumin e vitit 2018.
Monopoli shtetëror mbi prodhimin e shkrepëseve
Në fund të shekullit XIX, u propozua që Zvicra si shtet të kishte monopol për prodhimin e shkrepëseve. Arsyeja për këtë propozim ishte se fosfori i bardhë, që përdorej në atë kohë për prodhimin e shkrepëseve, ishte shumë i ndezshëm dhe shkaktonte sëmundje vdekjeprurëse te punëtorët. Ekzistonte fosfori i kuq që ishte më i sigurt, por më i kushtueshëm. Monopoli shtetëror shihej si zgjidhje kundër kontrabandës së shkrepëseve. Megjithatë, kjo ide u refuzua në referendumin e vitit 1895.
Kundër zhurmës së avionëve luftarakë në zonat turistike
Zvicranët në referendumin e vitit 2008 votuan kundër ndalimit të ushtrimeve ushtarake ajrore mbi zonat turistike. Një nga arsyet e propozimit për këtë ndalim ishte zhurma që shkaktonin avionët luftarakë, sipas swissinfo.