“Kërcënimi erdhi përmes mesazhit”, Policia jep detaje për alarmin me bombë në Kuvend

Paraditen e së shtunës, Kuvendi i Kosovës është përballur me një kërcënim për një mjet shpërthyes të vendosur brenda objektit të tij.

Lidhur me rastin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka bërë të ditur se mesazhi kërcënues është pranuar përmes SMS-it dhe se menjëherë pas kësaj, janë aktivizuar njësitë përkatëse policore, raporton Ekonomia Online.

“Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet”, tha.

Policia e Kosovës, ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi