Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se janë në operim katër njësi dhe sipas tyre pavarësisht situatës emergjente të krijuar nga sulmi terrorist në kanalin e Iber Lepencit, operimi i termocentraleve vazhdon normalisht dhe menaxhimi i furnizimit me energji elektrike është stabil dhe i qëndrueshëm.
KEK në një njoftim për media thekson se KEK, Ministria e Ekonomisë (ME), dhe Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP) janë takuar për të analizuar situatën e furnizimit me ujë për operimin e termocentralit dhe për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike.“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton gjithashtu se, përkundër situatës emergjente të krijuar nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit, operimi i termocentraleve vazhdon normalisht dhe menaxhimi i furnizimit me energji elektrike është stabil dhe i qëndrueshëm
KEK po vazhdon të operojë me dy njësi të TC Kosova B dhe dy njësi të TC Kosova A, të cilat nuk janë prekur nga mungesa e ujit nga kanali. Po ashtu, në rast nevoje, KEK ka siguruar kapacitetin prej 150 MW nga KESH, i cili do të shfrytëzohet për të mbështetur furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME), KRU Prishtina (në koordinim me të gjitha KRU-të), janë mobilizuar me pajisje si autobote (cisternat e ujit) për të siguruar furnizimin e termocentralit me ujë në rast nevoje dhe për të garantuar rezervat e nevojshme të ujit.
KEK thekson se po vazhdon koordinimi i ngushtë me zyrtarët e Ibër Lepencit për mbarëvajtjen e sanimeve dhe riparimeve.
“KRU Prishtina kanë njoftuar se kapacitetet e destinuara nga ky kanal për Mitrovicën dhe Prishtinën mund të sigurohen nga burime të tjera, duke na siguruar që kapaciteti prej Ibër Lepenci do të shfrytëzohet vetëm nga KEK. Ibër Lepenci ka vendosur gjashtë gypa (me diameter 900mm) që mund të furnizojnë sasinë e nevojshme për funksionimin normal të dy njësive të TC Kosova B”, thuhet më tej.
Korporata Energjetike e Kosovës më tej thekson se në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, po vazhdon angazhimet për normalizimin e gjendjes, duke përfshirë edhe institucionet e tjera përkatëse.
“Të gjitha palët janë të angazhuara në koordinim të ngushtë dhe po punojnë pa ndërprerje për të minimizuar ndikimet dhe për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm me ujë për TC Kosova B dhe me energji elektrike për qytetarët dhe sektorët e tjerë të rëndësishëm.
KEK dhe Ministria e Ekonomisë po mbajnë komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e tjera institucionale dhe sigurojnë mbështetje të plotë dhe koordinim të shpejtë në çdo fazë të këtij procesi”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/