Katastrofë në Alpe: Akullnaja gjigante mbulon një fshat zviceran, një burrë rezulton i zhdukur

Një masë e madhe shkëmbinjsh dhe akulli nga një akullnajë ka mbuluar pjesën më të madhe të një fshati në Alpet zvicerane. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale dhe në televizionin zviceran tregojnë shtëpi dhe ndërtesa në fshatin Blatten, në luginën jugore Lötschental, të mbuluara pjesërisht nga baltë dhe rrënoja.

Policia rajonale ka bërë të ditur se një burrë 64-vjeçar është zhdukur dhe operacionet e kërkim-shpëtimit janë në vazhdim. Fshati ishte evakuuar më herët gjatë javës – rreth 300 banorë, si dhe bagëtitë, ishin zhvendosur në vende të sigurta.

“Ajo që mund t’ju them tani është se rreth 90 për qind e fshatit është mbuluar ose shkatërruar”, deklaroi Stephane Ganzer, shef i sigurisë në rajonin jugor të Valais, për televizionin lokal Canal9.

Qeveria rajonale njoftoi se një pjesë e madhe e akullnajës Birch, që ndodhet mbi fshat, është shkëputur duke shkaktuar rrëshqitje dheu. Po ashtu, është bllokuar edhe shtrati i lumit të afërt Lonza.
“Ekziston rreziku që situata të përkeqësohet”, tha Ganzer, duke iu referuar lumit të bllokuar.

Ai tha se ushtria është mobilizuar pasi të dhënat e mëparshme tregonin për lëvizje të përshpejtuar të akullnajës.

Në një konferencë për shtyp, ministri zviceran i ambientit, Albert Rösti, e quajti këtë një “ngjarje të jashtëzakonshme” dhe tha se qeveria do të ndërmarrë hapa për të ndihmuar banorët që kanë mbetur pa shtëpi.

Glaciologët zviceranë kanë shprehur prej vitesh shqetësimin për shkrirjen e akullit, e cila i atribuohet ngrohjes globale dhe ka përshpejtuar tërheqjen e akullnajave në Zvicër. Ky vend malor, pa dalje në det, ka numrin më të madh të akullnajave në Evropë.

Në vitin 2023, banorët e fshatit Brienz, në lindje të Zvicrës, u evakuuan para se një masë e madhe shkëmbinjsh të rrëshqiste nga mali, duke u ndalur menjëherë pranë fshatit. Brienz u evakuua përsëri vitin e kaluar për shkak të kërcënimit nga një tjetër rrëshqitje.

Kategoritë
BotaLajme