Mediat amerikane raportojnë se administrata e presidentit Donald Trump po përgatitet të pranojë një aeroplan Boeing 747-8 nga familja mbretërore e Katarit, me një vlerë të vlerësuar prej 400 milionë dollarësh.
Kjo mund të jetë “dhurata më e vlefshme ndonjëherë e dhënë Shteteve të Bashkuara nga një qeveri”, dhe mund të ngrejë pikëpyetje lidhur me ligjshmërinë e saj, shkruan ABC News.
Sipas një burimi të njohur me marrëveshjen, është planifikuar që dhurata të përdoret si “Air Force One” i ri, derisa presidenti Donald Trump të largohet nga detyra, pas së cilës aeroplani do t’i dhurohet fondacionit për bibliotekën presidenciale të Trumpit.
Burimet kanë shtuar se pritet që dhurata të shpallet zyrtarisht javën e ardhshme gjatë vizitës së Trumpit në Doha.
Trump e ka vizituar aeroplanin në shkurt, kur ishte i parkuar në aeroportin ndërkombëtar të West Palm Beach, dhe për shkak të luksit të tij njihet si “pallati fluturues”.
Avokatët e Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Drejtësisë kanë konkluduar se dhurata është e ligjshme dhe “nuk shkel ligjet kundër ryshfetit”.
Aeroplani do t’i dorëzohet Forcave Ajrore Amerikane, të cilat do ta modifikojnë për të përmbushur specifikat ushtarake të nevojshme për transportin e presidentit amerikan.
Megjithatë, një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes ka deklaruar se Forcat Ajrore ende nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje kontraktuale për rinovimin e avionit, ka raportuar New York Times.