Ka ndërruar jetë Jose Mujica: I njohur si “presidenti më i varfër”, që dhuronte shumicën e pagës

Ish-presidenti i Uruguait, Jose Mujica, ka ndërruar jetë, njoftoi presidenti aktual i vendit, Yamandu Orsi, në rrjetin X.

Mujica, i njohur me nofkën “Pepe” dhe që shërbeu si president nga viti 2010 deri më 2015, vdiq në moshën 89-vjeçare.

“Faleminderit për gjithçka që na dhatë dhe për dashurinë tuaj të thellë për popullin tuaj,” shkroi Orsi.

Mujica ishte i njohur si “presidenti më i varfër në botë”, sepse dhuronte pjesën më të madhe të pagës së tij dhe voziste një “Volkswagen Buba” të vjetër gjatë kohës që ishte në pushtet. Ai gëzonte mbështetje ndërkombëtare për qëndrimin e tij të fortë kundër konsumizmit modern.

Në janar, ai kishte bërë të ditur se kanceri i ezofagut, i diagnostikuar një vit më parë, ishte përhapur dhe se ai kishte vendosur të ndërpriste trajtimin.

Gjatë presidencës së tij, Uruguai legalizoi abortin dhe martesat ndërmjet të njëjtës gjini, si dhe u bë vendi i parë në botë që lejoi përdorimin rekreativ të kanabisit në vitin 2013.

Mujica kishte qenë pjesë e grupit rebel “MLN-Tupamaros” gjatë viteve ’60 dhe ’70. Edhe pse grupi gëzonte popullaritet, shumë uruguaianë e fajësuan atë për shkaktimin e grushtit ushtarak të vitit 1973, i cili solli një diktaturë që zgjati deri më 1985.

Gjatë asaj kohe, Mujica kaloi 12 vjet në burg, pjesën më të madhe në izolim të plotë.

Kategoritë
BotaLajme