JD Vance tregon se çfarë Amerike mund të presin aleatët e saj: Evropa e mori seriozisht

Kur Donald Trump, presidenti aktual i SHBA-së, zgjodhi JD Vance-in, senator nga shteti federal i Ohajos, si kandidatin e tij për zëvendëspresident, shumë e interpretuan këtë si një lëvizje të gabuar. Tani është e qartë se, të paktën nga prizmi i aleatëve amerikanë, kjo është absolutisht e vërtetë.

Gjatë fushatës, Vance foli kryesisht për çështje të brendshme që lidhen me SHBA-në dhe nuk u mor shumë me politikën e jashtme.

Në ato deklarata dhe intervista, ai u paraqit mirë, dhe madje edhe kritikët më të mëdhenj të vendimit të Trump-it për ta zgjedhur atë pranuan se ishin gabuar.

Megjithatë, pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, Vance vërtetoi se kritikët e tij kishin pasur të drejtë – por tani është tepër vonë për ndonjë ndryshim.

Injorimi i fakteve dhe deklaratat e pamatura

Ndryshe nga Mike Pence në mandatin e parë të Trump-it, Vance mori një rol aktiv, kryesisht në politikën e jashtme – një fushë që ai pothuajse e kishte injoruar gjatë fushatës zgjedhore.

Mund të thuhet se ky ishte një vendim i mirë për Vance-in, sepse pikëpamjet dhe sjellja e tij ndaj aleatëve amerikanë janë të diskutueshme dhe do ta kishin dëmtuar fushatën e Trump-it.

Fillimisht, Vance mbajti një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih, i cili u perceptua si një leksion për të pranishmit, megjithëse në këtë konferencë marrin pjesë kryesisht aleatët e SHBA-së.

Në atë fjalim, ai përsëriti tezat e Trump-it për NATO-n dhe propagandoi teori konspirative të ekstremit të djathtë për “gjendjen e lirisë së shprehjes” në Evropë. Ky ishte sinjali i parë për Evropën, si aleatin kryesor të SHBA-së, se duhet të përgatitet për një politikë të re nga Uashingtoni.

Ukraina si pika e kthesës

Mesazhi më i keq për Evropën erdhi disa javë pas konferencës në Mynih, kur Volodimir Zelenski vizitoi Uashingtonin.

Në vend që kritikat të bëheshin me dyer të mbyllura, Trump dhe Vance e sulmuan Zelenskin para kamerave të mediave botërore. Ishte pikërisht zëvendëspresidenti i SHBA-së ai që nisi i pari përplasjen me liderin ukrainas.

Vance tregoi arrogancë të madhe, duke i thënë Zelenskit se ajo që ai po thoshte “nuk ka rëndësi” kur ky i fundit përpiqej të fliste për atë se kush është agresori dhe kush viktima në këtë konflikt.

Për më tepër, kur Zelenski e pyeti nëse kishte qenë ndonjëherë në Ukrainë, Vance u përgjigj se “i kishte parë të gjitha në video” dhe e akuzoi presidentin ukrainas se “i çon liderët në turne PR-i në vijën e frontit”.

Për ta “përmbyllur” javën me një tjetër deklaratë të pamatur, Vance tha, duke komentuar planin evropian, se “garancitë e sigurisë nuk jepen nga shtete të rastësishme që nuk kanë luftuar për 30 apo 40 vjet”. Kjo deklaratë u pa si fyerje ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, të cilat kanë marrë pjesë në operacionet ushtarake të udhëhequra nga SHBA në Afganistan, Irak dhe vende të tjera të botës.

Fjalët e Vance-it dhe politika e Trump-it zgjuan BE-në

Në Bashkimin Evropian, ky ndryshim në politikën e Uashingtonit shkaktoi alarm. Mesazhi u kuptua qartë: Evropa duhet të përqendrohet te vetja. Si rezultat, liderët evropianë morën iniciativën.

Në Paris u organizua një samit ku u përcaktuan konturat e një plani për Ukrainën, si alternativë ndaj planit amerikan. Më pas, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shpalli një investim prej 800 miliardë eurosh për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve anëtare të BE-së.

Është e rëndësishme të theksohet se, pavarësisht se disa analistë besojnë se Trump do të jetë president për vetëm katër vite të tjera, gjithnjë e më shumë republikanë e shohin pikërisht Vance-in si pasardhësin e tij.

Kjo do të thotë se Evropa dhe aleatët e tjerë të SHBA-së në mbarë botën mund të varen më gjatë nga vetja. Vance e ka dhënë tashmë këtë mesazh nga pozita e “zëvendësit të Trump-it”, dhe pas katër vitesh mund ta përsërisë atë nga zyra Ovale.

Kategoritë
BotaLajme