Izraelitët planifikuan të sulmonin Iranin në maj, Trump i ndaloi për shkak të zhvillimit të negociatave

Presidenti amerikan Donald Trump e refuzoi një sulm izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane të planifikuar për muajin e ardhshëm, duke preferuar negociatat për një marrëveshje me Iranin që do të kufizonte programin e tij bërthamor, raporton New York Times, duke iu referuar zyrtarëve të administratës.

Sipas NYT, Trump e informoi kryeministrin Benjamin Netanyahu për vendimin e tij për të mos mbështetur një sulm të tillë gjatë vizitës së Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë më herët këtë muaj.

Gjatë takimit të tyre, Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të fillonin negociatat me Iranin për një marrëveshje që do të parandalonte zhvillimin e armëve bërthamore nga ana e Teheranit.

Në raport thuhet se Trump vendosi të mos mbështesë planet izraelite për sulm – planet që kërkonin mbështetje ushtarake amerikane – për shkak të mospajtimeve të brendshme brenda administratës. Shtohet se Netanyahu ishte i vendosur që sulmi të ndodhte muajin e ardhshëm.

Ndërkohë, lideri i partisë së Unitetit Kombëtar të Izraelit, Benny Gantz, reagoi ndaj këtyre raportimeve.

“Regjimi iranian është mjeshtër i zvarritjes. Shteti i Izraelit duhet dhe mund ta eliminojë mundësinë e kapaciteteve bërthamore të Iranit,” shkroi Gantz, ndërsa në versionin në gjuhën hebraike, ai deklaron hapur se Izraeli “duhet dhe mund të sulmojë Iranin”.

“Duke bashkëpunuar ngushtë me aleatin tonë të madh – Shtetet e Bashkuara të Amerikës – ka ardhur koha që ta ndryshojmë Lindjen e Mesme,” përfundoi Gantz.

Kategoritë
BotaLajme