Izraeli vret një gazetar palestinez derisa po trajtohej në një spital në Gaza

Gazetari Hassan Abdulfettah Eslieh, i cili ishte plagosur më parë në një sulm izraelit dhe po merrte trajtim në spital, ndërroi jetë

Dy palestinezë, përfshirë një gazetar u vranë në një sulm nga ushtria izraelite në spitalin “Nasser” në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.

Në një deklaratë nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza thuhet se ushtria izraelite shënjestroi gjatë mesnatës në mënyrë të drejtpërdrejt ndërtesën ku ndodhen sallat e operacionit në spitalin “Nasser” dhe sipas raporteve fillestare, dy persona u vranë dhe u plagosën stafi mjekësor dhe pacientët.

Sulmet e përsëritura ndaj spitaleve zbuluan “qëllimin” e Izraelit për të dëmtuar më tej sistemin shëndetësor dhe për të kërcënuar trajtimin e të plagosurve dhe pacientëve edhe në spitale.

Agjencia palestineze e lajmeve WAFA bëri të ditur se gazetari Hassan Abdulfettah Eslieh, i cili ishte plagosur më parë në një sulm izraelit dhe po merrte trajtim në spital, ndërroi jetë dhe se disa pacientë u plagosën.

– Numri i gazetarëve të vrarë rritet në 215

Në një deklaratë me shkrim nga Zyra qeveritare e medias në Gaza, u vu re se me vdekjen e Eslieh, i cili punonte si drejtor në agjencinë e lajmeve “Alam24”, numri i gazetarëve të vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori 2023 është rritur në 215.

Deklarata dënoi me fjalët më të ashpra shënjestrimin dhe vrasjen sistematike të gazetarëve palestinezë nga Izraeli dhe u bëri thirrje të gjitha organizatave mediatike në mbarë botën të dënojnë këto krime sistematike kundër gazetarëve në Gaza.

Përveç Izraelit dhe SHBA-së, përgjegjës që marrin pjesë në krimin e gjenocidit janë edhe Britania, Gjermania dhe Franca, thuhet më tej.

– Gazetarët po shënjestrohen edhe në spitale

Gazetarët palestinezë janë shënjestruar jo vetëm në vendet nga ku raportojnë, por edhe në spitalet ku ata marrin trajtim, thuhet në deklaratën ku vihet theksi se gazetarët vazhdojnë të përmbushnin detyrat e tyre pavarësisht të gjitha përpjekjeve për frikësim dhe eliminim.

Deklarata i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe të gjitha institucioneve të drejtësisë, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare Penale, që të ndërmarrin veprime për të dokumentuar këto krime “të tmerrshme” kundër gazetarëve, civilëve dhe personelit mjekësor dhe të ndjekin penalisht autorët.

Kategoritë
BotaLajme