Izraeli vret 10 palestinezë të tjerë në Gaza, përfshirë një fëmijë

Të paktën 10 palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një seri sulmesh izraelite në të gjithë Rripin e Gazës që nga mëngjesi i sotëm.

Sipas burimeve mjekësore të paktën 10 palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një seri sulmesh izraelite në të gjithë Rripin e Gazës që nga mëngjesi i sotëm, raporton Anadolu.

Gjashtë persona, përshirë një foshnjë, u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën në një sulm që shënjestroi një klinikë të shndërruar në strehë në lagjen Al-Rimal të qytetit të Gazës, tha burimi mjekësor për Anadolu.

Në qytetin jugor të Gazës, ushtria izraelite goditi një apartament banimi në lagjen Tel al-Hawa, duke rezultuar në vrasjen e një palestinezi dhe duke plagosur disa të tjerë, thanë burime mjekësore dhe dëshmitarë.

Një burim mjekësor nga spitali “Dëshmorët e Al-Aksës” tha se tre persona u vranë dhe të tjerë u plagosën kur ushtria izraelite shënjestroi një shtëpi në kampin e refugjatëve Al-Bureij në Rripin qendror të Gazës.

Katër të tjerë pësuan lëndime kritike pasi ushtria izraelite goditi një tendë që strehonte palestinezë të zhvendosur në Deir al-Balah, shtoi burimi.

Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 57.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë më vonë të hënën, tha se besonte se këtë javë mund të ketë një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit.

Kategoritë
BotaLajme