Fotoreporterja palestineze Fatima Hassouna, e cila u vra së bashku me dhjetë anëtarë të familjes në një sulm ajror izraelit mbi shtëpinë e saj në pjesën veriore të Rripit të Gazës, është ylli i një dokumentari që do të shfaqet muajin e ardhshëm në Festivalin e Filmit në Kanë.
E diplomuar në Shkollën Universitare të Shkencave të Aplikuara në Gazë, Fatima nuk ishte vetëm fotografe – ajo ishte një dëshmitare vizuale e realitetit që po bëhej gjithnjë e më i egër ditë pas dite. Disa orë para se të vritej, ajo postoi një fotografi të perëndimit të diellit nga ballkoni i saj, duke shkruar: “Ky është perëndimi i parë pas një kohe të gjatë.”
“Sa i përket vdekjes së pashmangshme, nëse do të vdes, dua një vdekje të zhurmshme. Nuk dua të jem në lajme kryesore, as pjesë e një numri në grup, dua një vdekje për të cilën dëgjon bota, një gjurmë që zgjat përjetë dhe imazhe të pavdekshme që as koha e as vendi nuk mund t’i varrosin,” kishte shkruar ajo në një postim pak para se të vritej.
Një ditë para se të vritej, Shoqata e Kinemasë së Pavarur për Shpërndarje (ACID) njoftoi se dokumentari “Vendose shpirtin në dorë dhe ec”, nga regjisorja iraniane në mërgim Sedeiph Farsi, ishte përzgjedhur për Festivalin e Filmit në Kanë muajin e ardhshëm.
Fatima është figura qendrore e filmit, dhe përzgjedhja e saj mund të kishte qenë një pikë kthese në karrierën e saj dhe një mundësi për të ndarë vizionin e saj me botën.
Në një intervistë për gazetën franceze Le Monde, regjisorja iraniane e përshkroi Fatimën me fjalë prekëse, duke thënë se “ajo ishte si dielli”.
“Ajo ndiqte luftën në Gazë, herë pas here bashkëpunonte me mediat duke dërguar fotografi dhe video. Çdo ditë më dërgonte fotografi, mesazhe të shkruara dhe zëra të regjistruar. Çdo mëngjes zgjohesha dhe pyesja veten nëse ishte ende gjallë,” tregoi ajo.
Që nga fillimi i luftës izraelite kundër Gazës, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) vlerëson se të paktën 157 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë, ndërsa raporte të tjera sugjerojnë se numri real mund të ketë kaluar 200.