Ushtria izraelite goditi me avionë luftarakë një ndërtesë 15-katëshe në lagjen Nasr të Qytetit të Gazës, ku qindra palestinezë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Qytetit të Gazës kishin gjetur strehim në ndërtesë
Ushtria izraelite menjëherë pasi u lëshua një paralajmërim për evakuim, bombardoi dhe shkatërroi një ndërtesë 15-katëshe në veri të Rripit të Gazës, ku qindra palestinezë të zhvendosur po strehoheshin, raporton Anadolu.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X, ndau një hartë ku tregoheshin disa ndërtesa në Qytetin e Gazës të lyera me “të kuqe”.
Adraee deklaroi se ndërtesat në fjalë së shpejti do të goditeshin nga sulmet ajrore dhe bëri thirrje për “evakuimin” e tyre.
Sipas asaj që ka përcjellë gazetari i Agjencisë Anadolu në zonë, ushtria izraelite goditi me avionë luftarakë një ndërtesë 15-katëshe në lagjen Nasr të Qytetit të Gazës.
U transmetua se nga zona u ngrit tym, dhe ekipet e kërkim-shpëtimit nuk kanë mundur të mbërrijnë në vendngjarje për shkak të rrethimit të ushtrisë izraelite dhe hapjes së zjarrit ndaj çdo gjëje që lëviz.
U raportua se qindra palestinezë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Qytetit të Gazës kishin gjetur strehim në ndërtesën 15-katëshe të shkatërruar nga avionët luftarakë izraelitë.
Izraeli, kërkon që 1 milion palestinezë në qytetin e Gazës të migrojnë në rajonin jugor të Al-Mawasi, të cilin e pretendon si një “zonë të sigurt humanitare”. Kohët e fundit Izraeli ka shkatërruar ndërtesa të larta në qytet me sulme ajrore.
Si pasojë e goditjes së këtyre ndërtesave theksohet se mijëra palestinezë kanë mbetur pa strehë.