Izraeli raporton për 24 ushtarë të vrarë në Gazë brenda një dite të vetme

zraeli njoftoi të martën se 24 ushtarë të tij u vranë në Rripin e Gazës, në një nga ditët më të këqija për ushtrinë izraelite që nga fillimi i fushatës së saj për të eliminuar grupin militant Hamas.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, u tha gazetarëve se 21 ushtarë po përgatiteshin të shkatërronin dy ndërtesa me eksploziv të hënën, kur një militant qëlloi me një raketë aty pranë dhe eksplozivi në ndërtesa shpërtheu, duke shembur strukturat mbi ushtarët izraelitë. Tre ushtarë të tjerë izraelite u vranë në një sulm tjetër.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria hapi “një hetim mbi tragjedinë”.

“Dje përjetuam një nga ditët tona më të rënda që nga shpërthimi i luftës”, tha kryeministri Netanyahu. “Në emër të heronjve tanë, për hir të jetës sonë, ne nuk do të ndalemi së luftuari deri në fitoren e plotë”.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant shkroi herët të martën në rrjetin X, i njohur deri vonë si Twitter, se ishte një “mëngjes i vështirë dhe i dhimbshëm”.

“Kjo luftë do të përcaktojë të ardhmen e Izraelit për dekadat e ardhshme dhe rënia e ushtarëve është një thirrje për të arritur qëllimet e luftës”, tha ministri Gallant.

Forcat izraelite kryen bombardime intensive në jug të Gazës, ndërsa zyrtarët shëndetësorë akuzuan Izraelin për sulme ndaj objekteve shëndetësore.

Kategoritë
BotaLajme