Izraeli pas deklaratës së SHBA-së për “pauzë humanitare”: Sulmet në Gaza do të vazhdojnë

Në një deklaratë me shkrim të zyrës së shtypit të kryeministrisë izraelite, theksohet se përleshjet në Gaza vazhdojnë dhe se “nuk do të ketë armëpushim derisa pengjet tanë të lirohen”

Pas deklaratës së SHBA-së për një “pauzë humanitare”, administrata izraelite njoftoi se sulmet do të vazhdojnë dhe se do të lejohet të operojë vetëm korridori i hapur për civilët (të zhvendosur me forcë) të largohen nga veriu i Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim të zyrës së shtypit të kryeministrisë izraelite, theksohet se përleshjet në Gaza vazhdojnë dhe se “nuk do të ketë armëpushim derisa pengjet tanë të lirohen”.

Në deklaratë theksohet se Izraeli ka lejuar “korridore të sigurta” që shtrihen nga veriu në jug të Rripit të Gazës për civilët që të kalojnë në jug.

Po ashtu theksohet se dje në këtë korridor kanë kaluar 50 mijë banorë të Gazës dhe përsëritet thirrja që banorët të shkojnë në jug.

Deklarata e Zyrës së Shtypit të kryeministrisë izraelite erdhi pas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, e cila tha se Izraeli pranoi të “zbatojë pauza ditore 4-orëshe” në veri të Rripit të Gazës për largimin e civilëve.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë foli për një “pauzë humanitare të armiqësive” në deklaratën e saj, në deklaratën e kryeministrisë izraelite theksohet se nuk do të ketë pauzë të armiqësive dhe se është hapur vetëm “korridor humanitar”.

Që nga e diela, ushtria izraelite ka hapur një korridor ditor humanitar 4-orësh në rrugën Salaheddin për të detyruar me bombardime zhvendosjen e banorëve nga veriu në jug të Gazës.

Ndërsa SHBA-ja dhe disa vende perëndimore nuk mbështesin një armëpushim që do të nënkuptonte ndalimin e sulmeve të Izraelit ndaj Gazës, ato kërkojnë “pauza humanitare”, që do të thotë ndërprerje të kufizuara me orë.

Kategoritë
BotaLajme