Izraeli nuk pranon t’u kthejë familjes trupin e vdekur të Hadalinit, reagoi edhe Bashkimi Europian

Bashkimi Europian kritikon autoritetet izraelite për refuzimin e dorëzimit të trupit të aktivistit palestinez Odeh Hadalin për “varrim dinjitoz”, pas qëllimit për vdekje të tij të hënën nga një kolon izraelit, të sanksionuar nga BE për ekstremizëm të dhunshëm.

Autoritetet izraelite kërkojnë që familja e Hadalinit të pajtohet me një sërë kushtesh—përfshirë ndalimin e ngritjes së çadrave të zisë pranë shtëpisë së tyre, kufizimin e ceremonisë së varrimit për 15 persona dhe mbajtjen e saj natën—tha për “The Times of Israel” një avokat që komunikohet me familjen.

Familja deri tani i ka refuzuar këto kushte.

Një delegacion diplomatësh të BE-së vizitoi të enjten fshatin Umm al-Khair, vendlindjen e Hadalinit, për t’u shprehur ngushëllimet familjes së tij.

“Që nga janari 2023, më shumë se 2,800 palestinezë janë zhvendosur për shkak të dhunës së kolonëve dhe praktikave të lidhura me shfrytëzimin e detyruar. Vetëm në vitin 2025 kolonet thuhet se kanë vrarë 4 palestinezë, përfshirë Hadalin, dhe kanë plagosur mbi 350. Izraeli duhet të ndërmarrë masa konkrete për të parandaluar dhunën e kolonëve ndaj palestinezëve dhe për të siguruar që autorët të përgjigjen para drejtësisë,” tha BE-ja.

Ministri gjerman i Jashtëm, Johann Wadephul, i cili vizitoi më parë sot Bregun Perëndimor, deklaroi pas vizitës se Berlini “është i përkushtuar për sanksionimin e mëtejshëm të kolonëve të dhunshëm. Vendbanimet e paligjshme janë pengesa kryesore për zgjidhjen e dy shteteve. Politika e zgjerimit të kolonive është hapur në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.”

Wadephul njoftoi gjithashtu se Gjermania do të sigurojë 5 milionë euro ndihma për Gazën përmes Programit Botëror të Ushqimit.

BE-ja vazhdon të ofrojë ndihma përmes agjencive të OKB-së, ndërkohë që kritikon Fondacionin Humanitar për Gazën, organizatë e preferuar e administratës Trump.

“Për shkak të masave të pamjaftueshme të sigurisë nga Izraeli, OKB-ja aktualisht nuk mund të ofrojë ndihmat që janë tejet të nevojshme. Kjo duhet të ndryshojë,” tha Wadephul.

Gjykata izraelite la si masë paraburgimi në shtëpi autorin e vrasjes së Hadalinit.

Kategoritë
BotaLajme