Izraeli kontrollon mbi 80 për qind të Gazës, hodhi 223 mijë tonë eksploziv ndërsa gjenocidi arrin 1.000 ditëshin

Zyra qeveritare për media thotë se janë vrarë mbi 73 mijë palestinezë, përfshirë 21.500 fëmijë, 12.500 gra.

Izraeli kontrollon më shumë se 80 për qind të Rripit të Gazës pas 1.000 ditëve gjenocid, me mbi 223 mijë tonë eksploziv të hedhur në enklavë, thuhet sot në një përditësim statistikor të lëshuar nga qeveria e Gazës, transmeton Anadolu.

Më shumë se 73 mijë palestinezë janë vrarë, përfshirë mbi 21.500 fëmijë dhe 12.500 gra ndërsa 9.500 të tjerë mbeten të zhdukur, tha zyra e qeverisë për media në një deklaratë. Gjithsej 173.514 palestinezë janë plagosur, përfshirë 433 gazetarë ndërsa 5.400 persona kanë pësuar amputime, 18 për qind prej tyre fëmijë, tha ai.

Zyra gjithashtu dokumentoi 1.500 raste të paralizës dhe 1.200 raste të humbjes së shikimit. Më shumë se 58.800 fëmijë kanë mbetur jetimë ndërsa më shumë se 2.14 milionë raste të sëmundjeve infektive janë regjistruar, përfshirë 71.338 raste të hepatitit viral, sipas deklaratës.

Izraeli shkatërroi plotësisht 1.047 xhami dhe ka dëmtuar pjesërisht 210 të tjera, ka shënjestruar tre kisha dhe ka vrarë 312 imamë xhamish, predikues, mësues të Kuranit dhe figura të tjera fetare, shtoi zyra. Izraeli shkatërroi ose detyroi jashtë shërbimit 38 spitale dhe 96 qendra të kujdesit shëndetësor dhe shënjestroi 197 ambulanca, 84 automjete emergjente dhe 16 qendra të mbrojtjes civile.

Qeveria vlerësoi humbjet e drejtpërdrejta paraprake nga lufta në rreth 80 miliardë dollarë, përfshirë 34 miliardë dollarë në sektorin e strehimit. Sipas deklaratës, Izraeli shkatërroi plotësisht 335 mijë ndërtesa dhe njësi banimi dhe dëmtoi 737 mijë të tjera.

Zyra qeveritare për media tha se Izraeli filloi gjenocidin e tij, me mbështetjen e SHBA-së më 8 tetor 2023 dhe se ai përfundoi zyrtarisht me hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje armëpushimi më 10 tetor 2025. Megjithatë, zyra qeveritare tha se Izraeli vazhdoi të shkelte marrëveshjen përmes bombardimeve të përditshme, duke shtrënguar rrethimin dhe duke bllokuar hyrjen e ndihmave të mjaftueshme humanitare, ushqimore dhe mjekësore.

Kategoritë
BotaLajme