Izraeli kërkon nga Gjykata Penale Ndërkombëtare të tërheqë urdhrat e arrestit për Netanyahun dhe Gallantin

Izraeli i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) që të anulojë urdhrat për arrestimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të mbrojtjes Yoav Gallant.

Sipas dokumenteve të publikuara më 9 maj në faqen zyrtare të gjykatës, zëvendësprokurori i shtetit të Izraelit, Gilad Noam, ka nënshkruar një kërkesë ku gjithashtu kërkohet që prokuroria të ndalojë hetimet për krimet e kryera në territoret palestineze.

Urdhrat për arrestimin e Netanyahut dhe Gallantit janë lëshuar për krime lufte gjatë konfliktit në Rripin e Gazës. Po ashtu, GJPN kishte lëshuar urdhër arresti edhe për liderin e Hamasit, Mohammed Deif, për krime kundër njerëzimit të kryera gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, por ky urdhër u tërhoq pas raportimeve të besueshme për vdekjen e tij.

Izraeli, që mohon juridiksionin e gjykatës me seli në Hagë dhe refuzon akuzat për krime lufte në Gaza, ka kundërshtuar me forcë urdhrat për arrestimin e udhëheqësve të saj.

Në prill, dhoma e apelimit e GJPN-së vendosi që gjyqtarët e dhomës paraprake, të cilët kishin lëshuar urdhrat, duhet të rishqyrtojnë ankesat e paraqitura nga Izraeli lidhur me kompetencën e gjykatës dhe ligjshmërinë e urdhrave.

Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë forme do të marrë ky rishikim dhe nuk janë caktuar afate konkrete për vendimmarrje mbi kërkesat e Izraelit për tërheqjen e urdhrave dhe ndalimin e hetimeve.

 

Kategoritë
BotaLajme