Izraeli e çoi deri aty që për herë të parë në historinë e Lindjes së Mesme uria të shpallet zyrtarisht

Për herë të parë në historinë e Lindjes së Mesme, organi ndërkombëtar i njohur për monitorimin e urisë – Klasifikimi i Integruar i Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC) – do të shpallë zyrtarisht urinë në Gaza.

Sipas “Telegraph”, vendimi do të shpallet sot dhe do të prekë zonën “Gaza Governorate”, që përfshin qytetin e Gazës, tre vendbanime përreth dhe disa kampe refugjatësh. Në këtë zonë jetojnë rreth 500.000 njerëz, të cilët, sipas gjetjeve, tashmë po përjetojnë kushte të shënuara nga uri, varfëri dhe vdekje.

Ky është vetëm rasti i pestë që nga themelimi i IPC-së në vitin 2004 që shpallet zyrtarisht uri, dhe i pari në ndonjë vend të Lindjes së Mesme. Rastet e mëparshme janë regjistruar në Afrikën nën-Sahariane, ndërsa i fundit në Sudan vitin e kaluar.

Sipas rregullave të IPC-së, që një gjendje të shpallet uri, duhet të plotësohen tre kritere të rrepta: të paktën 20 për qind e ekonomive familjare duhet të përballen me mungesë të plotë ushqimi, të paktën 30 për qind e fëmijëve duhet të vuajnë nga kequshqyerja akute, dhe duhet të regjistrohet një normë vdekshmërie prej dy personash në ditë për çdo 10.000 banorë për shkak të “urisë direkte”.

Raporti i IPC-së paralajmëron se uria do të përhapet edhe në rajonet Deir Al-Balah dhe Khan Younis deri në fund të shtatorit, nëse gjendja nuk ndryshon. Rreth 1,07 milionë njerëz në Gaza tashmë gjenden në nivele “emergjente” të pasigurisë ushqimore, çka do të thotë se janë vetëm një hap larg shkallës më të rëndë. Vlerësimet tregojnë se deri në fund të shtatorit gati një e treta e popullsisë së Gazës – rreth 641.000 njerëz – mund të gjendet në kushte krejtësisht katastrofike.

Qeveria izraelite vazhdimisht i hedh poshtë pretendimet për urinë në Gaza. Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se gjatë luftës në enklavë janë lejuar “qindra kamionë ndihmash” dhe, sipas tij, “po të zbatonte Izraeli një politikë urie, pas dy vitesh lufte askush në Gaza nuk do të kishte mbijetuar”. Ai gjithashtu pohoi se të vetmit që po i nënshtrohen urisë së qëllimshme janë pengjet izraelite në duart e Hamasit.

Ndërkohë, forcat izraelite po vazhdojnë ofensivën mbi Gazën. Pas disa ditësh bombardimesh, ushtria ka hyrë në periferi të qytetit, ndërsa palestinezët masivisht po braktisin shtëpitë e tyre. Është shpallur gjithashtu një mobilizim i ri masiv prej 60.000 rezervistësh të ushtrisë izraelite për një operacion të plotë tokësor në Gaza.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se deri tani nga pasojat e urisë kanë vdekur 271 persona, ndër ta 112 fëmijë. Më shumë se gjysma e këtyre vdekjeve janë regjistruar gjatë tre javëve të fundit. Numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i luftës ka arritur në 62.192.

Organizata si UNICEF, Oxfam dhe Save the Children, që janë pjesë e rrjetit të IPC-së, paralajmërojnë se katastrofa humanitare në Gaza do të vazhdojë të përkeqësohet. Ato theksojnë se ky është një moment historik, pasi për herë të parë uria shpallet zyrtarisht në këtë rajon, edhe pse popujt e Lindjes së Mesme në të kaluarën kanë kaluar përvoja të ndryshme të mungesës së ushqimit.

 

Kategoritë
BotaLajme