Izraeli do të zgjerojë “zonën humanitare” në Gaza para sulmit tokësor në Rafah

Sipas Radios së Ushtrisë Izraelite, zona humanitare do të shtrihet nga qyteti jugor Al-Mawasi përgjatë brezit bregdetar deri në periferi të Deir al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës

Izraeli po përgatitet të zgjerojë një “zonë humanitare” për civilët palestinezë përpara një ofensive tokësore të planifikuar në Rafah në pjesën jugore të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Sipas Radios së Ushtrisë Izraelite, zona humanitare do të shtrihet nga qyteti jugor Al-Mawasi përgjatë brezit bregdetar deri në periferi të Deir al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

“Zona humanitare do të strehojë rreth një milion njerëz”, njoftoi media, duke shtuar se pesë spitale fushore janë krijuar në zonë, përveç spitaleve që tashmë funksionojnë atje.

Pavarësisht rritjes së kundërshtimit global, Izraeli ka miratuar planet për të nisur një ofensivë tokësore në Rafah, ku më shumë se 1,5 milion njerëz janë strehuar nga sulmi brutal i Izraelit në Rripin e Gazës.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Të paktën 34.151 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe mbi 77 mijë të tjerë janë plagosur.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Kategoritë
BotaLajme