Izraeli bombardon ndërtesat në pjesën qendrore të qytetit Rafah

Ekipet e Mbrojtjes Civile kishin vështirësi për të arritur në vendngjarje dhe nuk ishin në gjendje të ndërhynin ndaj zjarrit, pasi forcat izraelite vazhduan të bombardojnë zonën

Forcat izraelite kanë shënjestruar me zjarr artilerie ndërtesat në pjesën qendrore të qytetit Rafah, që ndodhet në jug të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Ndërtesat Zarun, Kishta dhe Misri, të vendosura në pjesën qendrore të Rafahut, ishin objektiv i sulmeve të ushtrisë izraelite. Si pasojë e sulmit ka shpërthyer zjarr në disa ndërtesa.

Raportohet se ekipet e Mbrojtjes Civile kishin vështirësi për të arritur në vendngjarje dhe nuk ishin në gjendje të ndërhynin ndaj zjarrit, pasi forcat izraelite vazhduan të bombardojnë zonën.

Ende nuk është dhënë asnjë informacion lidhur me humbjet e jetëve dhe pronës si pasojë e sulmeve.

– Hamasi miratoi propozimin e armëpushimit

Shefi i Byrosë Politike të Lëvizjes Hamas, Ismail Haniyeh, më 6 maj informoi Katarin dhe Egjiptin se miratoi propozimet e tyre në lidhje me marrëveshjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Pasi Hamasi njoftoi se kishte miratuar “propozimet e armëpushimit” të dërguara nga Katari dhe Egjipti, Kabineti i Luftës i Izraelit vendosi të vazhdojë sulmet në Rafah.

Në deklaratën e saj më 6 maj, ushtria izraelite kërkoi evakuimin e disa lagjeve në lindje të Rafahut, ku u strehuan palestinezët e zhvendosur me forcë, dhe në mëngjesin e 7 majit, filloi një sulm tokësor në rajonin Rafah të Gazës dhe njoftoi se kishte pushtuar pikës kufitare me Egjiptin në anën e Gazës.

Kategoritë
BotaLajme